Kina konsiderohet ndryshe edhe si vendi ku lindi COVID-19, pikërisht në provincën e Wuhanit, për tu përhapur më pas në të gjithë botën.
Në Kinë u regjistruan 3,287 viktima dhe 81,285 të infektuar, teksa prej disa javësh po i kthehet normalitetit, pasi janë rihapur shkollat, njerërit janë rikthyer në punë, janë rihapur vendet publike dhe është rikthyer transporti ndërurban.
Mirëpo, së fundmi mjekët në Kinë kanë zbuluar se 147 pacientë që supozohej të ishin shëruar kanë rezultuar sërish pozitivë me koronavirus.
Këto përfundime janë bërë në bazë të një studimi që është bërë në spitalet e Wuhan-it, ku 14 për qind e personave që ishin shëruar kanë rezultuar pozitivë më patogjenin, ndonëse nuk kanë shfaqur asnjë simptomë dhe nga ana tjetër kërkuesit nuk gjetën prova që mund të vërtetonin që ata ishin infektuar sërish pasi të gjithë anëtarët e familjeve të tyre kanë rezultuar negativë.
Kështu, ekspertët kanë arsyetuar se personat e afërt me këta pacientë nuk janë infektuar prej tyre, pra ata nuk e kanë transmetuar virusin.
“Ekziston mundësia që këta pacientë të shëruar të kenë dalë negativë më herët pasi testet nuk kanë dhënë përgjigje të saktë. Saktësia e një testi të acidit nukleik është 30 deri në 50 për qind.”- thuhet në studim.
Pritet që në muajt në vijim të mbahen studime më të gjera me në qendër komunitetet në Wuhan për të pasur përgjigje më të qarta në lidhje me koronavirusin, teksa ekspertë të ndryshëm kanë bërë me dije se personat e shëruar nuk mund të infektohen për të paktën 6 muaj sepse fitojnë imunitet.
Kështu, hipoteza e vetme për momentin mbetet pasaktësia e testeve, gjë e cila na çon në një tjetër problem.