Një nga 13 rastet e reja të infektuara nga COVID-19 në vendin tonë është djali i deputetes së PS-së, Antoneta Dhima dhe sipas Dosja.al, 26-vjeçari pasi ka rezultuar pozitiv në testin e bërë, është tranportuar për në Spitalin Infektiv për të marrë trajtimin e nevojshëm.
Nga ana tjetër, bëhet me dije se e gjithë familja e deputetes së PS-së është futur në karantinë, pasi mund të jenë infektuar por nuk dihet ende nëse edhe ata u janë nënshtruar analizave.
Deri tani, Coronavirusi ka treguar se nuk pyet as për kombësi, as për moshë e as për hierarkinë shoqërore , teksa edhe vetë kancelarja Angela Merkel ka kryer testin për COVID-19, por ka rezultuar negative.
Mbrëmjen e sotme mjeku Pëllumb Pipero, në emisionin ‘360 gradë’, ka deklaruar se në fakt janë mbi 1500 të infektuar, nisur nga ideja se pas një personi të prekur nga Coronavirusi fshihen 10 të tjerë.
Më herët ditën e sotme, si kryeministri Rama, ashtu edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaruan se në ditët në vijim do të kemi një rritje të rasteve me të prekur nga Coronavirusi.
Po ashtu, Manastirliu bëri me dije se kontrata për blerjen e 54 respiratorëve është gati, teksa shtoi se po vijojnë procedurën për 100 respiratorë të tjerë, që do të mbërrijnë sipas një kalendari të mirëpërcaktuar.
Sipas saj, Ministria ka në gjendje 25 mijë maska dhe pritet furnizimi me 140 mijë maska, teksa deklaroi se po rritet me 10 mijë edhe stoku i veshjeve speciale dhe planifikojnë rritjen e tij me 50 mijë veshje.
COVID-19/ Manastirliu: “Kemi porositur 54 respiratorë të rinj, në gjendje 25 mijë maska”
Virusi i rrezikshëm që lindi në Kinë rreth 3 muaj më parë ka marrë deri tani 16, 350 jetë njerëzish dhe ka infektuar 374, 513 persona në 195 vende.