Skip to content
Të Gjitha

I prekur nga koronavirusi/ Ish-trajneri i Kombëtares së boksit kaloi në vdekje klinike, mbahet në jetë nga aparaturat

· 2 min lexim

Koronavirusi po vijon të përhapet me shpejtësi në vendin tonë, teksa gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 2 viktima, ndërsa numri i të prekurve ka shkuar në 89.

Në spitalin Infektiv janë shtruar 43 persona, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Në mesin e tyre është edhe ish-trajneri i Kombëtares së boksit, Skënder Kurti, i cili kaloi në vdekje klinike, por mjekët arritën që ta kthenin në jetë.

Mjekët po bëjnë të pamundurën, por gjendja shëndetësore e 61-vjeçarit  paraqitet kritike, pasi po mbahet në jetë nga aparaturat.

Skënder Kurti ka qenë kampion boksi me ekipin e Tiranës, ndërsa më pas vendosi të trajnonte të rinjtë.

Ai u kthye në Shqipëri më 10 mars, pasi ndodhej në një udhëtim jashtë vendit.

Fillimisht Ministria e Shëndetësisë e klasifikoi si viktimën e pestë nga koronavirusit, por në një reagim të mëvonshëm hodhi poshtë këtë version.

Ndërkohë mjeku Pëllumb Pipero dhe detaje në lidhje me situatën shëndetësore të tij.

Pipero u shprej se pacienti kaloi në një vdekje klinike të gjatë, ndërsa u kthye në jetë nga mjekët reanimatorë.

Harta e koronavirusit në vendin tonë u zgjerua ditën e djeshme me Korçën dhe Kuçovën, si dhe ka dyshime për tre persona në Vlorë.