Kryeministri Edi Rama ka njoftuar planin e ri të masave ndaj COVID-19.
Në një komunikim online, Rama bëri me dije se ushtria dhe policia do të mbikëqyrin zonat e kuqe, duke fotografuar personat që shkelin masat, të cilët do të përjashtohen nga ndihma.
Kreu i qeverisë tha se policia përtej gjobave do të përdorë edhe forcën, deri te gazi lotësjellës apo uji në rast grumbullimesh.
“Polica e ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë dhe Durrës ku kemi zonën më të kuqe, si dhe çdo zonë urbane duke fotografuar dhe duke futur në listë të zezë tradhtarësh këta individë që do ta paguajnë shtrenjtë dhe çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta se do tu hiqet çdo ndihmë shtetërore dhe do tu hiqet çdo ndihmesë nëse janë në shtëpi e duhej të ishin në punë, çdo ndihmë financiare për 1 vit nëse nuk kanë punë, çdo lloj ilaçi nëse janë edhe pensionistë, çdo lloj burse për studentët. një pakicë fare e vogël të pabindurish, që janë të mjaftueshëm për të marrë në qafë gjithë popullin do të konsiderohen tradhtarë lufte. Dua t’ju informoj se të gjitha forcat e rendit, nga polici i lagjes, deri tek forcat më speciale, janë të vendosura të përdorin forcën dhe të gjitha mjetet në rast shkelje ligji në tubime të paligjshme deri tej uji e gazi lotsjellës.”, tha Rama.
Përsa i përket orarit të ri 05:00-13:00, Rama tha se do të jetë në fuqi përgjatë gjithë javës tjetër.
Kujtojmë këtu se numri i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë është 76, nga të cilët dy viktima dhe një i shëruar.
Tek spitali Infektiv janë shtruar 37 persona, 4 prej të cilëve mbahen në terapi intensive.
Autoritetet ndërkohë kanë vijuar me thirrjet për respektimin e higjienës dhe distancimit social.