Ministri i Rindërtimit dhe i zbatimit të planit të masave për COVID-19, Arben Ahmetaj, dha detaje në lidhje me zbatimin e fondit të kompensimit me vlerë 65 milion dollarë, për biznesin e vogël dhe shtresat në nevojë.
Në një intervistë për “Euronews”, Ahmetaj u shpreh se të vetëpunësuarit do të kompensohen në nivelet e pagës minimale.
“Të vetëpunësuarit do të përfshihen brenda portofolit prej 65 milionë dollarë për të ndihmuar këtë kategori apo ndërmarrje të tjera që kanë ndërprerë punën. Nuk do të bëjmë çudira, ndihma do të jetë bazike. Kjo është mundësia. Nëse e ke pasur pagën 1 mln lekë nuk do të kompensohesh për këtë, por kompensimi do të jetë në nivelet e pagës minimale”, tha Ahmetaj.
Më tej ai shtoi, se pagesat e detyrimeve dhe sigurimeve shoqërore nuk do të shtyhen, përndryshe Shqipëria do të kalojë në kaos.
Ahmetaj vijoi duke thënë se biznesit, do t’i paguhet paga bruto, duke qenë se sigurimet nuk do të ndalohen
“Do të paguhen pagat e deklaruara në borderotë mbi të cilat janë paguar sigurimet shoqërore. Biznesit do t’i paguhet paga bruto, pasi sigurimet dhe detyrimet e tjera nuk do të ndalohen. Në rast se nuk paguhen Shqipëria për 1 javë kalon në kaos, do të rrjedhë gjak”, tha Ahmetaj.
Ministri sqaroi se për shkak të koronavirusit rritja ekonomike do të zbresë në nivelet 2%.
Kryeministri Edi Rama dy ditë më parë prezantoi planin ekonomik, duke vendosur të përgjysmojë pagat e deputetëve dhe ministrave, si dhe duke anuluar disa koncesione për të kanalizuar fonde në ndihmë të situatës së shkaktuar nga koronavirusi.
Mirëpo edhe kjo situatë nuk e ka ndaluar zhvatjen e arkës së shtetit.
Gazetareforma.com, zbuloi se në mesin e epidemisë, OSHEE ka zhvilluar një tender për blerjen e maskave, me një fond prej 12.6 milion lekësh, të marra nga taksat e shqiptarëve.