Beteja me COVID-19 po bëhet edhe më e ashpër me kalimin e ditëve dhe në këto kushte është shumë e rëndësishme që shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet dhe të veprojë në bazë të masave të marra nga qeveria.
Tragjedia italiane duhet të na shërbejë për të parandaluar një skenar të mundshëm në vendin tonë e këtë mesazh janë munduar të na e përcjellin çdo ditë mjekët, qeveria, apo edhe italianët.
Mbrëmjen e sotme, kryeministri Edi Rama reagoi me anë të një statusi në Facebook, ku ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe zbatimin e urdhrave të qeverisë për t’u izoluar në banesa.
Teksa shkruante se mjekët po bëjnë heroizëm, kurse qytetarët që dalin në rrugë i quan sabotarorë që po bëjnë tradhëti të pashembullt, bëri edhe paralajmërimin e frikshëm se nëse nuk rrimë drejt në këtë luftë, nuk do kemi vende as në varreza, sikundër po shohim në Itali.
Rama: “Mjekët të alarmuar, rrini drejt në këtë luftë se nuk do ketë më vende në varreza”
Së fundmi, edhe mjeku Tritan Kalo ka reaguar rreth situatës aktuale, ku me anë të një statusi në Facebook,siguron qytetarët se mjekët do të kujdesen në çdo rast për ta, por sipas tij, vetë qytetarët duhet të vetëizolohen që numri i të prekurve të mos rritet në mënyrë galopante si në Itali, Spanjë, Gjermani, Iran etj.
Po ashtu, ai ka publikuar imazhet radiologjike të mushkërive të dërmuara nga Coronavirusi të një pacienti të infektuar, ndërsa bën thirrje për vetëizolimin e qytetarëve.
Reagimi i plotë i Mjekut Tritan Kalo:
“VETËIZOLOHUNI…VETNDËRGJEGJËSOHUNI….PËRKUJDESUNI për veten tuaj….Në këto ditë të “luftës me Covid-19”, unë si mjek, si qytetar, si prind e si Shqiptar, në mes fotove të mëposhtëme: 1- të udhëve të zbrazura, 2- të tre MANTELBARDHËVE në një pushim të shkurtër të kësaj beteje, dhe 3- të imazheve radiologjike të mushkërive të “dërmuara nga agresori tinzar e jetëmarrës” Sars-Cov-2, do të preferoja për të gjithë JU bashkëkombasit e mi, vetëm atë të parën….
JANË vetëm pak shumë pak javë që DUHEN jetuar në kufizimin e jetës në shtëpi, për hir vetëm e vetëm të JETËS, të ardhmërisë sonë, të triumfit të së mirës ndaj të keqes…..Ju duam, POR duajeni edhe ju veten….Ju respektojmë, POR respektoheni edhe ju vetveten….Do përkujdesmi për ju në çdo çast, POR edhe ju duhet të kontribuoni me vetëizolimin tuaj dhe diferencimin social, që numuri i të sëmurëve në Shqipëri të mos njohë një rritje galopante sikundër po ndodh këto ditë në Itali, në Spanjë, në Iran, në Gjermani, në Francë e gjetkë…..
Çdokush duhet t’a ketë të qartë se, KAPACITETET e një Sistemi Shëndetsor në mbarë Botën ka limitet e veta….NA NDIHMONI QË TË MOS I KAPËRCEJMË ATO!!!!Together we will win that war!!!”
https://www.facebook.com/tritan.kalo/posts/3158001780891233
Numri total i viktimave në rang botëror deri tani është 11, 299 persona dhe janë 271, 670 të infektuar në 183 vende, teksa deri tani në vendin tonë kanë humbur jetën 2 persona dhe janë infektuar 70 të tjerë, teksa në Kosovë janë 24 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.