Deri tani nuk është krijuar ende një vaksinë që do i jepte fund betejës me COVID-19 që ka gjunjëzuar botën, teksa janë bërë dhe po bëhen përpjekje të shumta.
Kujtojmë se SHBA ka nisur testimin e parë të vaksinës kundër Coronavirusit dhe një grup prej 45 vullnetarësh të shëndetshëm do të bëjnë injeksionin në Institutin Kërkimor “Kaiser Permanente”, në Seattle.
Sipas ekspertëve duhen shumë muaj për të ditur nëse kjo vaksinë, apo dhe të tjerat për të cilat po punohet, do të funksionojë.
Kompania e cila ka krijuar vaksinën, Moderna Therapeutics, thotë se vaksina është krijuar mbi bazën e një procesi të njohur e të testuar, që përdor teknologjinë para-ekzistuese.
Ndërkohë, dje Trump bëri me dije se një mjekim i cili shërben kundër malarias ka dhënë rezultat për sa i përket Coronavirusit, por shtoi se po punohet intensivisht për të gjetur vaksinën e duhur dhe po bëhet gjithçka për qytetarët.
Mirëpo, së fundmi, Gregory Rigano, një këshilltar në ‘Shkollën e Mjekësisë në Stanford’, pohoi se një studiues francez kishte testuar një kurë, e cila kishte rezultuar e suksesshme në kurimin e Coronavirusit.
Sipas tij, specialisti më i shquar i sëmundjeve infektive në botë — Didier Raoult, kishte kuruar 40 pacientë me ilaçin “çudibërës” dhe kishte pasur rezultat 100% në kurimin e pandemisë.
Bëhet fjalë për një ilaç të quajtur HCQ dhe Azithromycin që përdoret për të trajtuar një larmi të infeksioneve bakteriale dhe funksionon duke ndaluar rritjen e tyre në trup.
Po ashtu, Daily Wire raportoi të hënën se një ekip australian kishte njoftuar se besonin që kishin gjetur një tjetër kurë efektive për Coronavirusin.
“Drejtori i Qendrës së Kërkimeve Klinike të Universitetit të Queensland, Profesor David Paterson tha në momentin kur në disa provëza kishin përdorur Chloroquin (një ilaç anti-malarial) dhe lopinavir / ritonavir (ilaç që kuron HIV), në to nuk kishte mbetur më asnjë shenjë e COVID-19.“
Megjithatë, nëse përdorim Kinën si shembull mund të themi se situata mund të përballohet lehtësisht falë masave të marra nga shteti nga njëra anë dhe disiplinës dhe ndërgjegjësimit të banorëve nga ana tjetër.
Numri total i viktimave në rang botëror deri tani është 11, 354 persona dhe janë 274, 162 të infektuar në 183 vende, teksa deri tani në vendin tonë kanë humbur jetën 2 persona dhe janë infektuar 70 të tjerë, teksa në Kosovë janë 24 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.