2 raste të reja me Coronavirus janë konfirmuar mbrëmjen e sotme në Kosovë, duke e çuar numrin total në 24 të prekur.
Lajmi është bërë i ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Dy personat e konfirmuar janë një grua 53-vjeçare nga Suhareka dhe një 43-vjeçar nga Gjakova, të cilët kanë pasur kontakt me personat tjerë që dolën pozitiv me COVID-19.
Më herët mbrëmjen e sotme u raportua për një tjetër rast, duke regjistruar kështu 3 të infektuar brenda ditës dhe fatmirësisht nuk është shënuar ende asnjë viktimë.
Disa ditë me parë u bë me dije se Kosova pritet që të marrë 20 mijë aparatura që tregojnë për 10 minuta nëse pacienti është apo jo me Coronavirus.
Kosova blen 20 mijë aparatura që tregojnë për 10 minuta nëse je i infektuar nga COVID-19
Më 13 mars Kosova u prek nga COVID-19, pasi u konfirmuan zyrtarisht dy të infektuar me Coronavirus dhe tashmë janë 21 të infektuar të cilët ndodhen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme.
Në këto kushte Qeveria e Kosovës ka shpallur dje gjendjen e jashtëzakonshme dhe lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme, që u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve brenda dhe jashtë vendit që nëse kanë simptoma të Coronavirusit të telefojnë në numrat sipas shteteve përkatëse.
Kosova shpall gjendjen e emergjencës nga COVID-19, thirrje shqiptarëve të diasporës
Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, teksa janë ndaluar hyrje-daljet për të gjithë qytetarët në komunat e Klinës dhe Vitisë, ku u shënuan dy rastet e para.
Ndërkohë, është vendosur mbyllja e institucioneve arsimore deri më 27 mars, pezullimi i përkohshëm i linjave ajrore dhe tokësore dhe pezullimi i të gjitha aktivitetet publike.
Po ashtu është ndërprerë edhe transportit ndërurban dhe janë mbyllur kufijtë tokësor për të gjithë ata që hynë në Kosovë, ndërsa janë mbyllur të gjitha lokalet, baret e qendrat tregtare, ku përjashtim bëjnë vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë.
Kurti bëri të ditur se kanë bërë edhe pezullimin e përkohshëm për të gjitha linjat e udhëtimit në Aeroportin “Adem Jashari”, ku përjashtim bëjnë vetëm fluturimet ushtarake apo medicinale.