Emergjenca shëndetësore në të cilën vendi ynë ndodhet tashmë prej gati 2-javësh, që pritet të pasohet nga një krizë ekonomike për shkak të mbylljes së thuajse çdo aktiviteti, nuk ka ndaluar zhvatjen e vazhdueshme të buxhetit të shtetit nëpërmjet tenderave skandalozë.
I fundit është ai i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), që ditën e sotme ka shpallur fituesin e tenderit për blerjen e maskave respiratore me valvul FPP1, me një shumë prej 12.6 milionë lekësh të rinj.
Në dokumentacionin e zbuluar nga “gazetareforma.com” shihet se tenderi është hapur më 12 mars 2020 dhe është mbyllur më 17 mars, ndërkohë që shpallja e fituesit është bërë ditën e sotme.
Në tenderin që asnjë argument i qenësishëm nuk mundet ta shpjegojë e justifikojë, fitues është shpallur Farma Net Albania, një rrjet i njohur farmacish në vendin tonë, që supozohet të furnizojë me maska OSHEE-në, për aryse tërësisht të panjohura.
Ashtu sikurse thuhet në njoftimin e shpalljes së fituesit, ky tender është realizuar pa njoftim, pra nuk janë ftuar operatorë të tjerë të marrin pjesë në garë dhe është bërë gjithashtu me negocim, çka ka bërë që nga fondi limit prej 11 milionë lekësh, të rezultojë në fund në 12.6 milionë lekë që OSHEE, kompani që operon me paratë e taksapaguesëve shqiptare, i ka përdorur për të blerë maska të llojit FPP1.
Por sa maska kërkon të blejë OSHEE që i ka vënë në dispozicion kompanisë Farma Net një shumë të tillë?
Pas një kërkimi të bërë në treg nga “gazetareforma.com”, rezulton se një maskë me valvul FPP1 në një farmaci në Tiranë sot kushton 850 lekë.
Çka do të thotë se nëse OSHEE do t’i blinte këto maska me çmim pakice, do të bëhej fjalë për 14.824 maska.
Por kjo shifër sigurisht është shumë herë më e lartë se kaq duke qenë se për blerje në sasi të tilla, çmimi për maskë është disa herë më i vogël se ai me të cilin një individ mund ta blejë në farmaci.
Por për çfarë i nevojitet OSHEE-së një sasi e tillë maskash që po i paguajmë si të ishin të florinjta në çastin më delikat për ekonominë shqiptare, ndërkohë që të gjithë ekspertët e mjekësisë dhe vetë kryeministri Rama kanë shpjeguar se ato janë të panevojshme për personat që nuk janë të prekur nga COVID-19?
Ky tender vjen në një moment që shteti ynë po mundohet t’i vijë në ndihmë me çdo mënyrë sistemit tonë shëndetësor dhe biznesit e familjeve që janë prekur nga emergjenca e koronavirusit.
Kryeministri Rama ditën e djeshme bëri të ditura masat ekonomike të ndërmarra për të parandaluar një krizë ekonomike, duke u shprehur madje se kishte reduktuar disa konçesione në mënyrë që paratë t’i kanalizonte në drejtimet ku ka dhe do të ketë nevoja imediate.
Por kjo lëvizje e paprecedentë që shpresojmë t’i nënshtrohet një investigimi nga organet ligjëvënëse në Shqipëri, duket se ka shpëtuar nga lupa e ekspertëve të qeverisë, të cilët kanë grumbulluar fonde nga çdo drejtim për të përpiluar paketën e masave.