Mbrëmjen e së enjtes, kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në “Open”, për të folur për situatën që ka krijuar COVID-19 në vendin tonë.
Mirëpo, teksa po diskutonin rreth masave të marra nga qeveria, moderatorja Eni Vasili tha se sapo kishte marrë një mesazh nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, ku thuhej:
“Eni, pyete kryeministrin, a është i gatshëm të japë dorëheqjen dhe të ma kalojë mua drejtimin e qeverisë?”.
Kreu i qeverisë nuk nguroi të shprehte habinë e tij rreth këtij mesazhi, teksa preferoi të mos përgjigjej duke thënë se me shumë mundësi mesazhi nuk është dërguar nga Basha.
Disa minuta më vonë, kryedemokrati i ka dërguar një mesazh në “Whats App” moderatores ku sqaronte se ai nuk kishte dërguar asnjë mesazh dhe akuzoi qeverinë se po e përfshinte në lojëra të ulëta.
Së fundmi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi me anë të një reagimi në Facebook, ka bërë publike deklartën e kompanisë telefonike “Vodafone”, ku thuhet se mesazhi nuk është dërguar nga numri i Bashës, por nga një platformë e huaj.
Më tej, kompania sqaron se SMS-ja nuk i ngjan aspak një SMS-je të zakonshme dhe se është dërguar jashtë rrjetit të kompanisë celulare, ku Basha është abonent.
“E vërteta është më e qartë dhe e pastër se çdo lojë e pisët apo maskë e skaduar. Le ta shohin dhe gjykojnë vetë shqiptarët se kush e ka mendjen tek pushteti dhe përdor mesazhe të sajuara kundër kreut të opozitës. Me qëllimin e vetëm, të largojë vëmendjen nga propozimi ynë që ndihmon realisht qytetarët dhe biznesin për të përballuar krizën.”- shkruan Bardhi krahas fotos.
Ky mesazh duket se ka ndezur debatet mes PS dhe PD, teksa Vasili ka publikuar edhe bisedën që sipas saj vërteton se SMS-ja i është dërguar nga Basha, teksa nga ana tjetër, Basha dhe PD kanë 24 orë që e mohojnë me forcë këtë SMS.