Nuk ka të sosur bilanci negativ nga COVID-19 në Itali, e cila është duke u përballur me një tragjedi të vërtetë sa i përket numrit të vdekjeve dhe rasteve pozitive me Coronavirus.
Mes të prekurve dhe viktimave janë edhe shumë mjekë, ndërsa së fundmi pesë mjekë kanë vdekur, duke e çuar në 13 numrin e viktimave të bluzave të bardha.
Ndërsa, të infektuar janë 2,629 mjekë dhe infermierë, ose 8.3 për qind e stafit total të personelit.
Numri i stafit mjekësor të prekur nga Coronavirusi në vendin fqinj është gati dyfishi i Kinës edhe pse numri i të vdekurve është i përafërt.
Ditën e djeshme, në Itali u regjistrua numri më i madh i viktimave që prej ditës kur u shfaq epidemia, duke numëruar 475 të vdekur.
Së fundmi raportohet se krahas të vdekurve, spitaleve italiane i është shfaqur një tjetër problem i madh, pasi sasia ilaçeve që ndihmojnë në lehtësimin e pasojave të Coronavirusit ka rënë ndjeshëm.
Përveç numrit të lartë të viktimave, Italia po përballet me një problem madhor
Numri total i viktimave në rang botëror deri tani është 9, 377 persona dhe janë 228,687 të infektuar në 177 vende, teksa në Kinë në 24 orët e fundit për herë të parë që nga shpërthimi i virusit nuk është shënuar asnjë i infektuar.
Deri tani në vendin tonë kanë humbur jetën 2 persona dhe janë infektuar 64 të tjerë, teksa në Kosovë janë 20 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.