Ditën e djeshme u shënua viktima e dytë në Shqipëri.
Behet fjalë për 66 vjeçarin e shtruar tek spitali Infektiv.
Ai vuante nga një sërë sëmundjesh të tjera dhe po mbahej në terapi intensive.
Ndërkohë “Abcnews” raporton, se ditën e sotme 66 vjeçari është përcjellë në banesën e fundit në varrezat e Lushnjes.
Kjo ceremoni mortore ishte e pazakontë, pasi morën pjesë vetëm 3 persona, për të shmangur grumbullimet për shkak të koronavirusit.
Menjëherë pas ceremonisë, punëtorët e Bashkisë së Lushnjes, kanë dezinfektuar hyrjen e varrezave dhe rrugën, për të shmangur mundësinë e përhapjes së koronavirusit.
Ky problem është ngritur nga Gazetareforma.com përpara se të shënohej rasti i parë me koronavirus në vendin tonë.
Gazetareforma.com kontaktoi me disa agjenci funerale në Tiranë, për të mësuar rreth mënyrës se si do të zhvillohen ceremonitë mortore në rast epidemie.
Një nga opsionet ishte filmimi i ceremonisë dhe më pas video i dërgohet familjarëve.
“Për momentin nuk është menduar kjo pjesë, por mendoj se mund të bëhet dhe ashtu do të bëhet. Ne kemi pasur edhe eksperienca të tjera, për shembull në azilin e pleqve kemi filmuar ceremoni dhe ua kemi dërguar familjarëve. Mendoj se do të përdoret metoda me mbyllje hermetike”, tha përfaqësuesi i agjencisë funerale “Globe”.
Ndërsa përfaqësuesi i agjencisë funerale “Habibi” dha opsionin e djegies së trupave.
“Për momentin në Shqipëri nuk është përhapur dhe kjo është një çështje për të cilën do të vendosin autoritetet shtetërore. Mendoj se trupat do të digjen dhe ceremonitë nuk do të jenë më si ato tradicionalet”, u shpreh përfaqësuesi i agjencisë funerale “Habibi” në kryeqytet.
Autoritetet shtetërore ndërkohë nuk e kanë ngritur ende këtë shqetësim dhe nuk kanë bërë publike asnjë masë.