Kanë kaluar 9 ditë që kur në vendin tonë u regjistruan 2 të infektuarit e parë nga COVID-19 dhe tashmë bilanci është 59 të infektuar dhe 2 viktima.
Mes të prekurve janë edhe 8 mjekë të cilët janë vetëkarantinuar, ndërsa 3 persona janë në reanimacion në gjendje të rëndë.
Mjekët herë pas here kanë thënë se ky virus është i panjohur për të gjithë dhe në këto kushte nuk ka shumë informacione rreth tij, mirëpo sipas statistikave të vendeve që janë prekur më herët rezulton se personat më të rrezikuar nga COVID-19 janë të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Kështu, mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Open’ u bë me dije se në vendin tonë 450 mijë persona vuajnë nga sëmundjet kronike, gjë që i bën ata më të ekspozuar se të tjerët.
Ndërsa shifra zyrtare e pacientëve që trajtohen në mënyrë të vazhdueshme për probleme të ndryshme shëndetësore është 456, 290 pacientë.
Virusi që lindi në Kinë në fund të 2019, ka marrë deri tani 8,937 jetë njerëzish dhe ka infektuar 218,220 persona në 173 shtete.
OBSH ka shpallur pandeminë, teksa epiqendra e virusit tashmë është zhvendosur në Europë, në një kohë kur Kina po rimerr veten dita-ditës dhe madje po ndihmon shtetet e tjera të prekura.
Italia po përjeton një gjendje shumë të vështirë dhe deri tani 2,978 persona dhe 35,713 të tjerë, teksa nga ana tjetë BE ka mbyllur kufijtë për të gjitha shtetet joanëtare.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit, teksa është kufizuar qarkullimi i makinave dhe i këmbësorëve.
Gjithashtu ka nisur aplikimi i gjobave për ata që nuk respektojnë rregullat e vetëkarantinimit, kompanitë që nuk marrin masat ndaj Coronavirusit dhe tregtarët që rrisin çmimet në mënyrë abuzive.