Situata me koronavirusin në Shqipëri ka detyruar kompanitë e fluturimit “Air Albania” dhe “Austria Airlines”, që të ndërpresin shërbimin.
“Air Albania” ka njoftuar të gjithë pasagjerët, se fluturimet e darkës drejt Stambollit do të ndërpriten duke filluar nga data 18-30 mars, ndërsa fluturimet e mëngjesit do të operojnë normalisht sipas orareve.
“Në vijim të situatës së krijuar për shkak të përhapjes së koronavirusit (COVID-19), Air Albania ka njoftuar se fluturimet e darkës, ZB1003 dhe ZB1004 për Stamboll do të ndërpriten duke filluar nga data 18 Mars 2020 deri më 30 Mars 2020. Fluturimet e mëngjesit ZB1001 dhe ZB1002 do të operojnë normalisht sipas orareve të përcaktuara. Për veprime të mëtejshme, ju lutemi pasagjerëve të kontaktojnë kompaninë ajrore apo agjencitë e udhëtimit”, thuhet në njoftimin e “Air Albania”.
Ndërkohë “Austria Airlines” do të ndërpresë fluturime më 19 mars.
“Nga data 19 Mars 2020, ndërpriten fluturimet me Austrian Airlines. Në vijim të situatës së krijuar për shkak të përhapjes së koronavirusit (COVID-19), Austrian Airlines ka njoftuar se duke filluar nga data 19 Mars 2020 do të ndërpresë të gjitha fluturimet deri në një njoftim të dytë. Për veprime të mëtejshme, ju lutemi pasagjerëve të kontaktojnë kompaninë ajrore apo agjencitë e udhëtimit”, thuhet në njoftimin e “Austria Airlines”.
Në Shqipëri numri i te prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 51, ndërsa është shënuar edhe një viktimë.
Në godinën e Infektivit ndodhen 20 pacientë, ku 3 prej tyre po mbahen në terapi intensive.
Qeveria shqiptare ka marrë masa të forta për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke mbyllur shkollat, lokalet.
Gjithashtu qarkullimi i makinave është i ndërprerë, ku përjashtime bëjnë ato të shërbimeve të emergjencës dhe shtetëroret.
Ndërkohë që prej ditës së sotme, kryeministri Edi Rama dhe urdhër që pas orës 18:00, nuk do të ketë asnjë këmbësor në rrugë.
Kush kapet duke qëndruar në parqe apo ambjente të hapura që prej ditës së nesërme do të gjobitet.