Ditën e djeshme kryeministri Rama lajmëroi se Policia e Shtetit dhe ajo Ushtarake do ngrinin postblloqe me qëllim evidentimin e personave të ardhur nga Italia e që nuk vetëkarantinohen.
Sot, Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka hyrë në fuqi ‘shtetrrethimi’ duke mos lejuar qarkullimi i mjeteve, teksa si Policia e Shtetit, ashtu edhe Policia Ushtarake do jenë në patrullim.
Po ashtu, policia ka publikuar edhe 7 masat e sigurisë që do të merren në vend në kuadër të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit.
Hyn në fuqi ‘SHTETRRETHIMI’, Policia e Shtetit publikon 7 masat e rrepta
Nga mesnata e sotme deri mesnatën e së dielës nuk do lejohet qarkullimi i automjeteve private dhe tashmë aksioni ka nisur.
Kryeministri Rama ka reaguar pak para mesnate me anë të statusi në Facebook duke u bërë thirrje të gjithë qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për t’ju lehtësuar punën atyre që në këto ditë u duhet të jenë në shërbim.
Kreu i qeverisë ka shpërndarë videon e postblloqeve të Policisë ndërsa shkruan se efektivët nuk mund të jenë në shtëpi me familjen e tyre se po mbrojnë shoqërinë.
“Policia e Shtetit do të vijojë të jetë në rrugë papushim, për të siguruar për tre ditë e dy netë rresht, regjimin e mosqarkullimit së bashku me Policinë Ushtarake.
Prindër fëmijësh apo bij e bija prindërish të moshuar, ata nuk do të mund të jenë në shtëpi me fëmijët e me prindërit e tyre, sepse përveç vetes e familjes, ata duhet të na mbrojnë të gjithëve ne, duke qëndruar me orë të tëra në këmbë nëpër postblloqe prandaj të dashur miq, le t’i ndihmojmë edhe ata, përveç vetes e familjes sonë, duke qëndruar në shtëpi me fëmijët e me të moshuarit dhe duke u kushtuar të vegjëlve e të moshuarve, kohën që u kemi aq shumë borxh prej pamundësisë sonë të përditshme”.
https://www.facebook.com/138734771522/posts/10157519765466523/
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.