Një ndër temat më të diskutuara pas përhapjes së Coronavirusit ka qenë pjesëmarrja në ceremonitë mortore, pasi rrezikohet përhapja e COVID-19, nisur edhe nga prania e shumë personave.
Në disa vende të prekura nga virusi është ndaluar pjesëmarrja në varrime, ndërsa në vendin tonë nuk është vendosur ende asgjë.
Mirëpo, duket se ka njerëz të cilët ndërgjegjësohen pa patur nevojë për ndërhyrjen e shtetit.
Ditën e sotme, ish-futbollisti i Dinamos dhe gjyqtari i futbollit Namik Jareci është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur i biri Sokol Jareci, i cili me anë të një statusi në Facebook tek lajmëron për humbjen e të atit, shkruan se i mirëkupton të afërmit dhe miqtë, të cilët nuk mund të bëjnë vizita për shkak të Coronavirus-it.
“Meqenëse jemi në një situatë të jashtëzakonshme, për të qenë korrekt me protokollin e kësaj situate, duhet të shmangim takimet dhe grumbullimet, prandaj ngushëllimet i presim edhe nëpërmjet SMS-ve. Ju lutem të na mirëkupton, ashtu siç edhe ne do t’ju mirëkuptojmë’, shton ai në rrjetin social.
Kujtojmë se me shënimin e 2 rasteve të para në vendin tonë u përhapë me shpejtësi lajmi se babi i pacientit ‘zero’ kishte marrë pjesë në një ceremoni mortore, ku kishin qenë edhe 150 persona të tjerë.
Por, ky lajm u hodh poshtë nga autoritetet.
Teksa numri i të prekurve në vendin tonë ka shkuar në 23 persona, autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.