Prej 3 ditësh vendi ynë është prekur nga COVID-19, teksa janë shënuar 10 të infektuar nga 114 persona që janë testuar deri tani.
Pacienti zero është një 28-vjeçar me histori udhëtimi në Itali, i cili më pas kishte infektuar edhe familjarët e tij.
Në Spitalin e Infektivit në QSUT qëndrojnë tre prej të infektuarve me Coronavirus, teksa vendi është rrethuar nga forcat e policisë, të cilët nuk lejojnë praninë e personave të paautorizuar në ambientet e spitalit.
Së fundmi, një nga gazetarët e Abc News ka rrëfyer një ngjarje të trishtë, pasi tregoi se disa minuta më parë në ambientet e godinës kishte shkuar një vajzë e dëshpëruar dhe me lot në sy.
Sipas tij, ajo ishte motra e një prej të infektuarve dhe i kishte sjellë vëllait disa ushqime.
“Një vajzë e dëshpëruar erdhi, unë pata mundësinë ta pyes, ajo ishte e përlotur, donte t’i sillte diçka për të ngrënë. Më tha që kam vëllain. Më pas doli një infermiere dhe mori ato gjëra që ajo donte t’ia jepte vëllait të saj. Në këtë zonë nuk ka as qytetarë, ata po bëjnë një lloj kujdesje për të mos iu afruar kësaj zone”, rrëfeu gazetari.
Më herët pasditen e sotme, kryeministri Rama mblodhi kabinetin qeveritar, duke bërë me dije masat e reja që janë marrë në vendin tonë.
Mbledhja e qeverisë: Nga shpërblim prej 1 mijë eurosh për stafin mjekësor tek masat ekstreme
Ndërkohë, 102 vende në të gjithë botën janë prekur nga virusi i rrezikshëm dhe deri tani janë regjistruar 4,000 viktima dhe mbi 116,000 të infektuar.
Nga ana tjetër, Kina po rikuperohet dhe duket se po del nga kriza shëndetësore ku humbën jetën 3,136 persona.