Pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në Shqipëri, qeveria vendosi pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat për 2 javë.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka bërë të ditur mënyrën sesi do të organizohen nxënësit gjatë kësaj pauze në shkollë.
Sipas Shahinit, orët e humbura mund të mos zëvendësohen, për shkak të humbjes së orëve të mësimit edhe nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ministrja u shpreh se nxënësit do të punojnë nga shtëpia nëpërmjet klasave virtuale që do të krijohen mes mësuesëve dhe nxënësve, deri në një urdhër të dytë më 23 mars.
Gjithashtu, Shanini njoftoi se provimet e maturës nuk do të shtyhen.
“Arsyeja e mbylljes së shkollave është frenimi i përhapjes së virusit. Është parandaluese dhe frenuese. Nuk ka nevojë për panik. Fëmijët dhe të rinjtë nuk janë të rrezikuar por mbartës. Ndaj bëhet pezullimi për të mos u përhapur virusit.
Për shkak të humbjes së orëve të mësimit nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk do të zëvendësohen dot të gjitha orët e mësimit. Fëmijët do punojnë nga shtëpia. Materialet do ndahen në rrjetet sociale dhe do kalojnë nga drejtorët e shkollave tek mësuesit, të cilët do ia kalojnë prindërve dhe këta të fundit do ia përcjellin fëmijëve. Do përdoret edhe metoda e selfie video, kjo është një nga mënyrat. Nëse ka pyetje, mësuesi bën video dhe e dërgon nxënësve në grup. Do aplikohet që nesër. Do krijohen klasë virtuale. Nxënësit duhet të mësojnë në shtëpi. Kjo është masë ekstreme për ndalimin e përhapjes së virusit. Shkollat janë të mbyllura deri më 23 mars. Komunikimi me nxënësit duhet të bëhet përmes prindërve.
Besoj që do bëhet dezinfektimi. Po bashkëpunojmë me bashkitë. Për maturën shtetërore nuk do shtyhet data. Do jetë e vështirë për maturantët që aplikojnë për universitet. Do mundohemi t’ia dërgojmë materialet që të punojnë nga shtëpia. Nëse i përcjellin udhëzimet tona do jenë më të përgatitur për shkak të botimit të pyetjeve. Linku do publikohet tani në faqen zyrtare në Ministrisë së Arsimit për udhëzimet.”- u shpreh Shahini.