Pas deklaratës së Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me dy të prekurit e parë me Koronavirus në Shqipëri, ku pretendohej se i riu 28-vjeçar kishte ardhur nga Firence në Shqipëri duke kaluar përmes doganës në Hanin e Hotit, ka reaguar dogana.
Sipas një kontrolli që përfaqësuesit e doganës kanë kryer në sistemin TIMS, rezulton se dy shtetasit V.K. dhe P.K. nuk kanë kaluar nga kjo pikë doganore, por ka qenë vetëm 28-vjeçari që ka kaluar nga pika e Muriqanit me 26 shkurt.
“Babai i tij, nuk ka asnjë hyrje apo dalje nga Shqipëria përmes pikave të kalimit kufitar me Malin e Zi”, behet me dije.
Sakaq, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi në një mbledhje emergjente ditën e sotme se janë futur në karantinë të gjithë familjarët e të infektuarve, ndërkohë që ka nisur puna për të kontaktuar personat me të cilët ata kanë pasur kontakt përgjatë dy javëve të fundit.
Në po të njëjtën mbledhje, kryeministri Rama njoftoi mbylljen e shkollave deri me datën 3 prill e po ashtu, dhe fluturimet nga zonat e nxehta në Itali drejt Tiranës janë pezulluar.
Autoritetet vijojnë të bëjnë thirrje për personat me simptoma të ngjashme që të telefonojnë numrin 127 dhe të mos paraqiten fizikisht pranë qendrave mjekësore.