Gara për pozicionin e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit ka kaluar në një fazë tjetër, pasi ditën e sotme janë përzgjedhur 4 kandidatë që do të kenë mundësinë që të garojnë për të marrë kryesimin e të ashtuquajturës FBI-a shqiptare.
Gjatë dy ditëve Komisioni i Përzgjedhjes për Drejtorin e BKH-së ka zhvilluar intervistat e strukturuara me 8 kandidatët e përzgjedhur deri në ketë fazë, por vetëm 4 prej tyre u përzgjodhën për të vijuar me procesin e mëtejshëm.
Kandidatët e përzgjedhur janë si më poshtë:
Aida Veizaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj.
Ndërkohë Ardian Çipa, Gentjan Shehaj, Lindita Nushi dhe Ylli Pjetërnikaj, nuk mundën të kalojnë të gjitha testet për të vijuar garën.
Në ditët e ardhshme pritet që Komisioni të përzgjedh vetëm një emër fitues dhe më pas t’ia propozojë atë Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ka si detyrë përzgjedhjen e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit me votim.
Në Komisionin përzgjedhës bëjnë pjesë kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Arben Kraja dhe dy prokurorët Behar Dibra si dhe Eneid Nakuçi.
Kujtojmë se në garë për të drejtuar BKH ka qenë 40 aplikantë, profesionet e të cilëve varionin që nga avokatë, policë apo edhe ish-oficerë policie, të cilët prej kohësh jetonin jashtë Shqipërisë, por një pjesë e tyre që nuk përmbushnin kushtet u skualifikuan nga gara, ndërsa të tjerë humbën ‘betejën’ me provat.
BKH do të jetë struktura mbështetëse hetimore për SPAK dhe në përbërje të saj do të jenë edhe 60 hetues të cilët pas përzgjedhjes do të trajnohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.