Është thelluar bilanci nga Coronavirusi në Itali, ku ka shkuar në 10 numri i viktimave, pasi mësohet se gjatë orëve të fundit janë ndarë nga jeta tre të moshuar dhe numri i të infektuarve ka shkuar në 322.
Problematike mbetet Lombardia, ku janë shënuar 240 raste dhe 9 viktima, ndërsa 43 raste dhe një i vdekur është shënuar në Veneto, 26 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte, 3 në Lazio, 3 në Siçili, 2 në Toskanë, një në Alto Adige dhe një tjetër në Liguria.
Kryeministri Giuseppe Conte u shfaq optimist në daljen e tij të fundit ku është shprehur : “Jam i bindur se në ditët në vijim, do të arrijmë ta frenojmë përhapjen e sëmundjes”.
Fill pas deklaratës së kryeministri, një 72-vjeçar u konfirmua me koronavirus në Liguria.
Kujtojmë se edhe Kroacia me Austrinë kanë njoftuar rastetet e para me Coronavirus, ndërsa Turqia ka izoluar 132 veta në bordin e një avioni të ardhur nga Irani prej dyshimit për persona të infektuar.
Deri më tani Coronavirusi ka vrarë të paktën 2700 persona, teksa janë prekur më shumë se 80 mijë të tjerë në rang botëror.
Situata më e rënduar paraqitet në Kinë, vendi ku lindi virusi, ndërsa gjendja është serioze edhe në Korenë e Jugut dhe Itali, ndërsa OBSH bëri thirrje për reagim global pasi jemi në kushtet e një pandemie.