Drejtuesja e departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bina, në një deklaratë për mediat ka sqaruar situatën në vend përsa i përket koronavirusit.
Ajo u shpreh se për momentin nuk duhet të ketë panik, pasi në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar.
Më tej ajo dha disa këshilla sesi duhet të kujdesemi për higjinenën, për t’u kujdesur nga gripi.
“Nuk duhet të ketë panik për momentin nuk kemi asnjë rast të dyshuar në Shqipëri. E rëndësishme të jemi vigjilentë, jo vetëm por dhe të kujdesshëm për veten dhe të afërmit tanë. Ky virus nuk luftohet vetëm nga strukturat qeveritare por dhe duke u kujdesur. Mos pështyjmë përtokë, të vendosim gropëzën e bërrylit kur tështimë. Mos prekim hundën, gojën. Janë disa rregulla të thjeshta sanitare. Ky është një virus i thjeshtë. Përhapet po në atë rrugë që përhapet virusi i gripit. Gripin nuk e marrim në konsideratë shpesh herë por ky virus ka një vdekshmëri disi më të lartë se gripi. Kjo është këshilla e parë, duhet të kujdesemi për higjienën’, deklaroi ekspertja e Shëndetit Publik.
Bino shtoi se në vend ka disa pajisje që janë për diagnostifikimin e koronavirusit dhe ndihmojnë njëra-tjetrën.
“Nuk ka veç një pajisje por disa pajisje që ndihmojnë njëra-tjetrën. Ka të gjitha kitet, të gjithë reagentët për t’u kryer diagnoza e koronavirusit në vend. Laboratori i ISHP është pjesë e rrjetit të laboratorëve europianë. Ne jemi të pajisur, të kontrolluar. Ne jemi në atë hap që janë gjithë vendet e tjera të botës dhe sidomos të Europës”, tha më tej Bino.
Ajo deklaroi se janë përforcuar masat në kufi dhe apeloi që të gjithë ata që udhëtojnë drejt apo nga zonat e prekura të njoftojnë për çdo shqetësim.
Drejtoresha e repartit të Epidemiologjisë, shtoi më tej, se në kufi janë përforcuar kontrollet, ndërsa tha se Shqipëria ka një eksperiencë të mirë në kapjen e hershme të kontakteve.
“E di që të gjithë e keni mendjen atje. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që udhëtojnë, të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shqetësim shëndetësor. Në aeroport ndodhet njësia e inspektoratit sanitar e përbërë nga mjekë e personel shëndetësor. Virusi në asnjë vend të botës nuk mund të ndalet në aeroport. Ka shumë diskutime për skanerat, për temperaturat. Por nga të gjitha studimet është treguar se ato nuk kanë ndonjë vlerë në kapjen e hershme. Kapja e hershme vetëm nëpërmjet sistemit shëndetësor. Shqipëria është një vend që ka një eksperiencë shumë të mirë në gjurmimin e kontakteve. Javës që shkoi provuam një testim të vetes sonë për të parë sa shpejt i kapim kontaktet. Sepse është e rëndësishme kapja e kontaktit dhe më tej marrja e masave për izolimin”, tha Bino.
Bino shpjegoi se koronavirusi merret nëpërmjet pështymës dhe jo frymëmarrjes.
Ajo sqaroi edhe masat e marra nga shteti shqiptar, duke thënë se jemi të gatshëm për karantinë edhe në kushte shtëpiake.
“Në qoftë se kemi një kontakt me të sëmurin, ai sipas kushteve futet në vetëkarantinë, në qoftë se kushtet e tij e lejojnë ose futet në një karantinë të përcaktuar mirë, e cila është e përcaktuar në momentin që flasim dhe është një strukturë spitalore. Kemi përzgjedhur një strukturë spitalore për kushtet e mira. Janë përzgjedhur dhe struktura të tjera që i plotësojnë këto kushte. Kemi përcaktuar rregullat qoftë për karantinën në shtëpi, qoftë për në struktura të tjera. Është normale që njerëzit të kenë frikë por nuk duhet të ketë panik. Kini besim tek strukturat, kini besim tek ne dhe tek mua që po flas sepse shpesh e shoh që ka dyshime”, deklaroi Bino.