Disa javë më parë emisioni “Stop” transmetoi skandalin seksual në shkollën e mesme artistike “Jakov Xoxa” në Fier, ku mësuesi Agron Bego i ofronte ndihmë një nxënëseje që kishte bërë mungesa, duke i kërkuar në këmbim favore seksuale.
Madje i tregoi se kishte punuar edhe zhigolo në shtëpi publike dhe ishte i të “99-tave”, teksa e “këshillonte” vajzën të mos kryente marrëdhënie me bashkëmoshatarë, pasi ata nuk dinë.
Pas publikimit të këtij skandali, Bego u pezullua nga shkolla dhe ndaj tij u mor masa e arrestit “burg pa afat”, teksa rasti po hetohet nga prokuroria.
Disa ditë më parë emisioni ka publikuar të tjera dëshmi tronditëse për abuzimet e mësuesit “zhigolo” , duke transmetuar me zë dhe figurë rrëfime të ish-nxënësve të kësaj shkolle, që implikojnë profesorin e kantos Agron Bego, por edhe disa kolegë të tij të së njëjtës shkollë.
Një nxënës tregoi sesi ka funksionuar mekanizmi i ngacmimeve seksuale dhe si e mbronin njëri-tjetrin mësuesit e liceut të Fierit, duke u përfshirë edhe bashkarisht në afera seksuale me nxënëset.
Pas këtij skandali që tronditi të gjithë opinionin publik, pati persona që kërkuan shpjegime nga Ministria e Arsimit, madje disa të tjerë i kërkuan ministres Besa Shahini të dorëhiqet.
Së fundmi ka ardhur edhe reagimi i Shahinit, e cila me anë të një statusi në Facebook shprehet se shfrytëzimi i viktimave të abuzimit për të tërhequr vëmendjen është poshtërsi.
Ministrja thotë se asnjë rast i i dhunës dhe abuzimit nuk do të tolerohet, ndërsa shprehet se janë ndërmarrë masa të rrepta për parandalimin dhe dënimin e këtyre veprave.
Po ashtu, thekson se do të luftojë edhe shfrytëzimin e viktimave të abuzimit, pasi siç shprehet ajo, ky është një abuzim më vete.
Reagimi i Besa Shahinit:
Shfrytëzimi i viktimave të abuzimit apo neglizhencës, për arsye të tërheqjes së vëmendjes apo vetë-promovimit, është poshtërsi. Po të kishin interesin e të abuzuarve në mendje, nuk do t’i nxirrnin në media me identitet të plotë duke spekuluar me ditë të tëra për detaje të abuzimit.
Kam mbi dy vite në Shqipëri që shoh jetët e grave dhe vajzave të shkatërrohen nën peshën e kazanit mediatik, dhe jo vetëm! Të gjithë ne kemi detyrimin të ngrejmë zërin përballë padrejtësisë apo abuzimit dhe të sigurohemi që shkaktarët e dëmit të marrin dënimin e duhur. Por në këtë proces nuk guxojmë të thellojmë dëmin ndaj të dëmtuarit.
Asnjë rast i dhunës dhe abuzimit nuk tolerohet! Sidomos në shkollë! Masat e rrepta që kemi ndërmarrë për parandalim dhe dënim e reflektojnë këtë!
Dua të nënvizoj edhe një herë: shfrytëzimi i viktimave të abuzimit për përfitim të vëmendjes është abuzim në vete. Ndaj edhe këtë formë të abuzimit do të bëj çmos ta luftoj!