Skandali i “Duty Free” të aeroportit të Rinasit prej kohësh është në qendër të mediave për shkak të aferave të shumta abusive që janë zbuluar nga mediat.
“Albania Duty Free Distribution”, kishte humbur tenderin një vit më parë dhe i kishte mbaruar kontrata me TIA-n, që në datën 27 gusht, mirëpo kompania pretendon se kontrata e tyre është ndërprerë në mënyrë të padrejtë.
Sipas tyre, kontrata do të rinovohej automatikisht dhe ADFD nuk ishte lajmëruar paraprakisht nga TIA për anulimin e saj.
Nga ana tjetër, rezulton se tenderin e ri për kontrollin e dyqaneve pa taksa në Rinas në shkurt të 2019-ës, fillimisht e ka fituar kompania polake “Baltona”, gjë e cila u bë e ditur për mediat në mënyrë jo zyrtare, mirëpo në qershor të 2019-ës u shpall fituese kompania amerikane “International Cruise Duty Free” (ICDF).
Në dokumenta pronar i kompanisë ICDF rezulton shtetasi amerikan Lucio Souto me origjinë argjentinase, mirëpo kjo gjë rezulton të fsheh pas vetes një skandal tjetër pasi disa ditë më parë burime ekskluzive për “gazetareforma.com”, bënë me dije se Aliona Zeqiri është emri i vërtetë që fshihet pas kompanisë ICDF, e cila nuk ka kurrëfarë eksperience në fushën e Duty Free në aeroporte, ndryshe nga shumë prej kompanive pjesëmarrëse në tender. (Lexo këtu)
Sipas burimeve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, shoqëria “ICDF Albania” ka ortak të vetëm Lucio Guillermo Souto (64 vjeç), administrator Besnik Salataj dhe është themeluar më 19 qershor 2019, ndërsa në dokumentet e krijimit të shoqërisë “ICDF Albania” nuk rezulton asnjë lidhje me shoqërinë amerikane “ICDF Inc”.
Së fundmi, TvT bën me dije se një situatë e njëjtë paraqitet dhe për shoqërinë amerikane “ICDF Inc”, për të cilën pretendohet se është kompania nënë e “ICDF Albania sh.p.k.”
Kjo shoqëri i përket 76-vjeçarit Patrizio Clerici, ndaj të cilit rezultojnë të paktën 7 çështje penale, midis të cilave dhunë në familje dhe rezistencë ndaj arrestit.