Lajmi i mirë për izolimin e Coronavirusit më 2 shkurt (Lexo këtu) nuk e ka shpëtuar Italinë nga virusi vdekjeprurës.
Ndonëse ekspertët bëjnë me dije se viktimat nga Coronavirusi po ulen dita-ditës, realiteti lë hapësira për skepticizëm ndaj këtyre deklaratave.
6 të infektuar janë regjistruar në shtetin fqinj, pasi kishin patur kontakt me një 38-vjeçar, banor i Codogno, Lombardi, i cili kishte vizituar së fundmi Azinë.
Ai u shtrua në spital të mërkurën në mbrëmje pasi rezultoi pozitiv në testin e Coronavirusit, ndërsa të infektuar janë gjithashtu edhe gruaja e tij shtatzënë në muajin e tetë , një mik i çiftit, si dhe 3 persona të tjerë.
38-vjeçari dhe miku i tij janë në gjendje të rëndë dhe me pneumoni, ndërsa më e lehtë duket gjendja personave të tjerë.
Po ashtu, në Lombardi 250 persona janë vendosur në izolim pasi kanë patur kontakt me 38-vjeçarin dhe do t’i nënshtrohen testeve.
Autoritetet e Codogno kanë urdhëruar mbylljen e shkollave dhe të gjitha vendeve publike, teksa u bëjnë thirrje qytetarëve të kontrollohen pranë qendrave mjekësore.
Coronavirsui deri më tani ka vrarë mbi 2200 persona dhe ka prekur mbi 76 mijë të tjerë.
Fatmirësisht, vendi ynë po vazhdon t’i rezistojë virusit vdekjeprurës, megjithatë, autoritetet shëndetësore shqiptare prej javësh kanë bërë me dije se janë marrë masat e nevojshme parandaluese dhe se janë duke diskutuar për vendet e mundshme ku mund të ngrihet karantinë, në rast se coronavirusi godet vendin tonë.(Lexo këtu)