Presidenti Ilir Meta gjatë një konference për mediat, i bëri thirrje shqiptarëve të dalin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 2 mars.
Sipas presidentit, më 2 mars do të lidhet një besëlidhje, për të shpartalluar regjimin e oligarkëve.
Kreu i Shtetit bëri me dije, se në këtë datë do të firmosë edhe dekretin për çmontimin e grushtit të shtetit.
Meta e akuzon qeverinë për grusht shteti, pasi sipas tij po shkelet Kushtetuta me ndryshimin e ligjit për betimin e gjyqtarëve.
Me ndryshimet e reja, nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret nga presidenti brenda 10 ditëve për të bërë betimin, ka të drejtë ta kryejë atë në formën e shkruar, duke ia dërguar Presidentit, Organit të Emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti ka publikuar gjithashtu në rrjetet sociale edhe posterin me shkrimin: Më 2 mars besëlidhje kundër grushtit të shtetit”.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti i bën thirrje popullit për të dalë në shesh.
Kujtojmë këtu se më 3 dhjetor Meta anuloi tubimin për referendumin, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.
Dy marsi është një datë historike për Shqipërinë, pasi në këtë datë në vitin 1444 u mbajt Besëlidhja e Lezhës, ku u shënuan hapat e para për formimin e shtetit shqiptar.