Partia Demokratike nuk ka ndërmend të ndalet në ‘luftën e saj’ kundër kryetarëve të bashkive.
Së fundmi, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi në një intervistë për ABC News u shpreh se po hetojnë në lidhje me 12 emra të rinj kryebashkiakësh të përfshirë në krime.
Numri 2 i PD tha se kanë dyshime se një kryebashkiak i zgjedhur nga Rama në 30 qershor të 2019-ës është i përfshirë në një vrasje të kryer në një vend të BE-së, por po presin dokumentacionin e nevojshëm për të provuar vërtetësinë.
Sipas tij, kryebashkiaku në fjalë drejton një nga bashkitë kryesore të vendit.
“Nuk është sekret e kam thënë dhe më parë se kemi në proces verifikimi disa nga kandidatët e Edi Ramës në zgjedhjet e 30 qershorit dhe jemi duke pritur dokumentacionin provues, e riktheksoj se në këtë rast PD-ja po kryen detyrën e prokurorisë dhe pse nuk është detyra jonë ta bëjmë një gjë të tillë, ne po verifikojmë dokumentacionin për një kryebashkiak të paligjshëm, që ka qenë i dënuar, dhe ka gënjyer në formularin e Dekriminalizimin, kjo është detyre ligjore dhe e prokurorisë.
Kjo është detyre e Prokurorit të Përgjithshëm i cili deri më sot nuk e ka kryer një gjë të tillë.
Tashmë në proces verifikimi kemi 12 emra kryebashkiakësh të kishim mekanizmat e prokurorisë do të bënim të mundur zbulimin më shpejt të emrave të kryebashkiakëve të përfshirë në krime.
Ne presim që me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë të verifikojmë indiciet për të dhënat që ne kemi për këto kryebashkiakë. Sapo të kemi një dokumentacion të tillë ne do të bëjmë denoncimin për shkeljen e ligjit të bërë nga një kryebashkiak.
Të dhënat flasin për kryerjen e veprave të ndryshme penale, kemi dhe të dhëna që një person është i dënuar ne vendet evropiane për vrasje dhe për të tjerë të cilët janë të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe të përfshirë në trafik të lëndeve narkotike.
Ju mund të shkoni dhe ta pyesni se çfarë po bën me katër rastet që i ka tashmë në prokurori. Një kryebashkiak ka të dhëna se është i dënuar për vrasje në një nga vendet e BE, këtë do ta bëjmë publike pasi të kemi të dhënat në dorë, dyshimet dhe të dhëna tona janë të qenësishme”, tha Bardhi.
Kujtojmë se Partia Demokratike ka denoncuar 5 kryebashkiakë, dy prej të cilëve kanë hequr dorë nga postet për shkak të fshehjes së veprave të mëparshme penale në formularin e dekriminalizimit.
I pari u denoncua kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri, i cili u detyrua të heqë dorë nga posti për shkak se Partia Demokratike zbuloi një dënim të tij për drogë në vitin 2003.
Pas tij, opozita jashtëparlamentare denoncoi kreun e Vorës, Agim Kajmaku, i cili ndodhet aktualisht në kërkim.
Po ashtu, është denoncuar edhe kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani, i cili sipas PD-së, është arrestuar në Sicili nën emrin Marq Babaj për vjedhje, por ai i ka mohuar akuzat.
Së katërti , PD akuzoi kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës për kryerjen e veprimeve të dhunshme, për të cilat nuk është dënuar.
Dhe së fundmi, akuzave nuk u ka shpëtuar as Agron Malaj, ish-gardisti që drejton Bashkinë e Burrelit, I cili akuzohet nga PD se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik pasi është dënuar për armëmbajtje pa leje.