Në Bruksel po zhvillohet Konferenca e Donatorëve për Rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, që la mijëra persona të pastrehë.
Konferenca është hapur në orën 14:30 nga kryeministri Rama, i cili shoqërohet nga Presidentja e Komisionit të Europës, Ursula Von der Leyen, së bashku me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von de Leyen, sapo ka mbajtur fjalën e saj gjatë të cilës është shprehur se BE do të japë 100 milionë euro për Shqipërinë.
“Ne kemi dëgjuar histori që të prekin zemrën nga kjo tragjedi. Kjo është një histori dhimbje dhe histori shërimi. Kjo pjesëmarrje dëshmon se ne jemi në krahun tuaj. Solidariteti shpëtoi jetë njerëzish nga kjo tragjedi shqiptare. Nevojat e Shqipërisë janë të mëdha dhe urgjente. Sot ne jemi këtu të dëshmojmë dhe të marrim angazhimet tona për popullin shqiptarë. Ne bashkë duhet ta bëjmë Shqipërinë më të fortë.”
Ndërkohë, pak para nisjes së Konferencës kryeministri Edi Rama ka firmosur marrëveshjen për dhurimin e 15 milionë eurove nga Komisioni Europian dhe këtë lajm e ka bërë të ditur me anë të një statusi në Facebook.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Grantit prej 15 milion euro të Komisionit Europian me Presidenten e KE, Ursula von der Leyen”, shkruan Rama.
Po ashtu, deri më tani Britania dhe Suedia kanë bërë publike shumat që do ofrojnë, ku Suedia ka dhënë 5.6 milionë euro, ndërsa Britania 1 milion pound.
Konferenca e Donatorëve pritet të zgjasë deri në mbrëmje, ku do vijojë sipas këtij itinerari:
-pas hapjes, do ketë një prezantim nga komisioneri për Menaxhimin e Krizave në BE, Janez Lenarčič, për reagimin fillestar të emergjencës dhe për vlerësimin e nevojave pas tërmetit,
-ndërkohë, në orën 16:30 do të nisë seanca e donatorëve, e cila do të hapet dhe do të mbyllet nga komisioneri Olivér Várhelyi,
-ndërsa në orën 18:45, pritet të ketë një konferencë nga Presidentja e KE, Ursula Von der Leyen, dhe kryeministri Edi Rama.