Skip to content
Bota

Nuk ka qetësi për Britaninë, stuhia ‘Dennis’ vret 3 njerëz dhe shkakton dëme të mëdha

· 2 min lexim

Një javë më parë stuhia ‘Ciara’ bllokoi Britaninë e Madhe ku një burrë humbi jetën teksa u përhap edhe në Europë duke shkaktuar mjaft problematika.

Ditën e djeshme Britania është goditur nga një tjetër stuhi, e quajtur ‘ Dennis’, që ka rezultuar tragjike pasi ka vrarë tre njerëz, identitetet e të cilëve nuk dihen ende.

Dy burrat janë nxjerrë të pajetë nga deti Margate Harbour dhe një vajzë u mbyt në brigjet e Brighton, ndërsa gjetja e viktimave është bërë e mundur përmes varkës së shpëtimit dhe helikopterit.

Dallgët në det kanë arritur deri në 20 metra lartësi, teksa era e fortë ka arritur në 160 km/orë.

Foto gjatë ndihmave të Forcave Speciale angleze

Për shkak të rrezikut që paraqet kjo stuhi, në shumë qytete britanike janë mbylluar aeroportet duke anuluar qindra fluturime, si dhe janë ndërprerë udhëtimet me tren dhe tragete.

Shumë pjesë të Uellsit të Jugut janë nën ujë pasi janë përmbytur, ndërkohë që janë ngritur qendra emergjence për ata që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Stuhia ‘Dennis’ ka përfshirë edhe Europën, pasi deri më tani ka goditur Belgjikën dhe Francën, ku kanë mbetur pa energji elektrike mbi 70 mijë shtëpi.