Sot është zhvilluar Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiç, të cilët nënshkruan marrëveshjen për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd dhe për autostradën.
Kjo marrëveshje u nënshkrua me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të SHBA për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell.
Lidhur me këto marrëveshje ka reaguar së fundmi kryeministri Albin Kurti, i cili me anë të një statusi në Facebook shkruan se nuk është i kënaqur me marrëveshjet.
Më tej, shton se zyrtarët që kanë firmosur marrëveshjen për hekurudhën dhe autostradën me Serbinë nuk kanë marrë autorizimin nga qeveria e re e Kosovës, as për të nënshkruar madje as për të negociuar një marrëveshje të tillë.
Po ashtu, kreu i ekzekutivit të Kosovës thekson se në procesin e tranzicionit të qeverisjes po analizojnë të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet.
Marrëveshja për linjën hekurudhore Kosovë-Serbi vjen pas asaj për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Ambasadori Grenell duket se po arrin hap pas hapi të realizojë planet që ka dhe më kryesori është heqjen e taksës 100 për qind mbi mallrat serbe, gjë që është pranuar edhe nga Kurti.
Reagimi i plotë
Sot në Munich janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.
Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.
Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare.
Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet.