Ditën e sotme bëri bujë një lajm, sipas të cilit një 64-vjeçare ishte përplasur në mesditë nga një BMW në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Këtij lajmi iu kushtua një vëmendje e madhe mediatike sepse Dritare.net bëri me dije se këmbësorja ishte përplasur nga moderatorja Ilda Bejleri.
Kjo e fundit, reagoi në Instagram, ku i quajti gazetarët “gënjeshtarë”, por nuk bëri asnjë deklaratë rreth ngjarjes, teksa deklaroi për Iconstyle se lajmi është i rremë.
Më herët, gjatë mbrëmjes së sotme reagoi edhe Policia e Tiranës, e cila nuk e konfirmon prezencën e moderatores, por njoftoi se ngjarja ka qenë një aksident dhe gruaja në fjalë, Enriketa Gjuzi ka përfunduar në spital.
“Më datë 12.02.2020, rreth orës 12:50, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ne afersi te Ures se Drejtorise Vendore te Policise Tirane,një mjet ende i paidentifikuar ka aksidentuar shtetasen E.GJ , 63 vjeçe , e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe së bashku me grupin hetimor po vijojne punen, per identifikimin dhe kapjen e mjetit qe ka shkaktuar aksidentin,”- thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës, detaje të cilat përkojnë me ngjarjen ku u përfshi prezantuesja.
Së fundmi, Enriketa Gjuzi, gruaja e aksidentuar ka rrëfyer për Dritare.net se çfarë ndodhi pranë vijave të bardha mesditën e sotme.
Gjuzi është shprehur se e ka aksidentuar moderatorja Ilda Bejleri dhe tregon se prezantuesja e ka përplasur dhe e ka hedhur dy metra tutje dhe nuk ka ndaluar.
“Më hodhi dy metra tutje dhe nuk ndaloi. Ia bëra me dorë. Më pa dhe vazhdoi. Makinat ndaluan të gjitha, veç Ilda Bejlerit. Nuk e njoh po i thirrën në emër të gjithë dhe i kërkuan të qëndronte. Ajo u tha: “Pse këtu kalohet?” Pastaj ata më ndihmuan, më morën në makinë ata që i thirrën vajzës të ndalonte dhe më çuan në spital. Këtu jam akoma. Me këmbë të thyer. Të lutem mos ma thuaj emrin se e lexon mamaja ime. Është vetëm. Hallin e saj kam, jo timin. Na u prish shtëpia në Durrës nga tërmeti dhe erdhëm këtu derisa të gjejmë zgjidhje. Këtu ndodhi kjo që ndodhi. Më shtypën në mes të ditës, më hodhën si leckë dhe nuk ndaluan të më pyesin si jam. Vajza që më shtypi është Ilda Bejleri,”– shprehet gruaja në fjalë.
Në këtë situatë na ngelet të presim që policia të japë verdiktin përfundimtar lidhur me ngjarjen.