Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca është ndalur tek paketa “KÇK”, e cila ka nisur punën prej ditësh.
Soreca u shpreh, se për zbatimin e këtij ligji është e rëndësishme që të respektohen të drejtat e subjekteve, ndërsa veprimet e policisë, duhet të konfirmohen nga SPAK.
“Mendoj që qasja të ndjekësh paratë është mënyra më e mirë për të luftuar krimin e organizuar. Mendoj se ky është drejtimi i ligjit KCK dhe mendoj se ky ligj tregon gatishmërinë politike për të adresuar problemin. Por, më e rëndësishme është zbatimi i këtij ligji, është kyç. Shohim dy kushte kryesore, që e drejta themelore e palëve të respektohen plotësisht, pra të subjekteve a personave që janë nën hetim, të drejtat e tyre duhet të respektohen, ky është një parakusht. Edhe asetet të sekuestrohen e konfiskohen, por duhet respektuar procesi i duhur ligjor. Do ta monitorojmë këtë, po i shohim nga afër këto hapa. Do flas edhe me SPAK. Kushti i dytë ka të bëjë me drejtimin e këtij operacioni. SPAK duhet të konfirmojë të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia dhe duhet t’ia kalojë dosjet gjykatës për të marrë më pas vendimet. Ne monitorojmë informacionin që ekziston për të kuptuar nëse, psh të drejtat e personave të përfshirë në këto çështje, psh të ankimuar, të respektohen të drejtat e tyre. Ky është një ligj i rëndësishëm, i cili duhet të vihet në zbatim në përputhje me të gjitha kriteret e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”, deklaroi ambasadori Soreca.
Ambasadori u ndal edhe tek çështja e hapjes së negociatave, duke thënë se BE do të aplikojë një metodologji të re.
Sipas kësaj metodologjie, shtetet anëtare do të përgatisin grupe ekspertësh, të cilët do të vlerësojnë ecurinë.
Gjithashtu do të ekzistojë edhe mundësia, që shtete anëtare të kthejnë pas procesin, nëse vërehen hapa prapa.