Skip to content
Të Gjitha

Nga lokali me qira te autobotet me naftë, zbardhet deklarata e pasurisë së Lulzim Berishës

· 1 min lexim

Pak ditë më parë Operacioni Forca e Ligjit i kërkoi ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, që të deklaronte pasurinë brenda 48 orëve.

Berisha i është përgjigjur kërkesës së OFL me shkrim, duke listuar aktivitetet që ai zotëron.

Në përgjigjen e siguruar nga “A2CNN”, të firmosur nga vetë Berisha, thuhet se të ardhurat e tij burojnë nga një bar kafe me qira, autobotet që furnizojnë anijet me naftë në portin e Durrësit dhe një kompani sigurimesh në bashkëpronësi me motrën, ku zotëron 40% të aksioneve.

Gjithashtu ai ka deklaruar edhe një makinë tip “BMW”, të blerë për shumën e 1 milion lekëve në vitin 2019.

Berisha shkruan më tej, se shpreson se deklarata do të vlerësohet me objektivitet, ndërsa shton se burimet e tij financiare janë të ligjshme.

Motre dhe vëllai i tij ndërkohë, deklaruan dy ditë më parë se Lulzim Berisha, nuk zotëron asnjë pasuri të patundshme, pasi ia ka sekuestruar shteti.

Përgjigja e Berishës do t’i kalojë SPAK, e cila do të bëjë vlerësimin.

Nëse vëren se burimet nuk janë të ligjshme, SPAK i kërkon gjykatës speciale të vendosë nën sekuestro pasuritë.