Ditën e sotme ministri Bledi Çuçi bëri me dije vlerën e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas tij, shifra kap vlerën e 985 milion e 796 eurove, ndërkohë që janë evidentuar mbi 50 mijë ndërtesa të dëmtuara.
Mirëpo, mbrëmjen e sotme inxhinieri Arben Meçe ka hedhur akuza për keqmenaxhim të fondeve në periudhën pas tërmetit.
Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Real Story”.
Pasi ka dëgjuar akuzat, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, ka ndërhyrë në një lidhje telefonike.
Ai ka debatuar me Meçen dhe ka mohuar akuzat.
Madje, e ka ‘kërcënuan’ Meçen dhe me ligjin e Anti-shpifjes, pasi tha se dekleratat e tij janë fake news.
Por, Meçe nuk u tremb nga ky fakt.
Ai u shfaq i vendosur për t’i shkuar deri në fund çështjes, madje duke theksuar se Bashkia e Tiranës ka abuzuar në shifra të mëdha për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit.
DEBATI MEÇE-MAZNIKU
Mazniku: Kemi një seri faktesh, që janë krejtësisht fakenews, që njerëzit i marrin si të ishin të vërteta. Procedura, që ka qenë shumë e qartë, është që një grup apo inxhinierë të rindërtimit shkojnë dhe bëjnë një vlerësim paraprak, që bën vlerësimin e dëmit nga dëmi i vogël deri te dëmi shumë i madh. Për nivelet e mëdha të dëmit është kërkesë automatike, që për ta të bëhet një vlerësim i thelluar. Vetëm përmes një vlerësimi të thelluar mund të mësojmë dëmin, nëse objekti i dëmtuar mund të riparohet dhe për çfarë riparimi ka nevojë, apo nëse ai objekt nuk mund të riparohet.
Meçe: Si ka mundësi që pas një muaji, për të bërë të njëjtat vlerësime, ka firma, që kanë marrë mbi 20 mijë euro…
Mazniku: Janë dy gjëra të ndryshme. Nëse inxhinieri me sy vullnetarë ka thënë se objekti ka dëme strukturore dhe nuk duhet të përdoret, në atë moment kemi nevojë për një grup më të madh inxhinierësh, që të shkojnë e të punojnë me ditë tek objekti.
Meçe: Gjithë kjo procedurë që paraqisni është objekt i një vendimi të qeverisë i 2020-ës, veprimi juaj është i dhjetorit të 2019. Jeni në zbatim të një procedure që keni shpikur vetë. Së dyti, nuk bëhet ekspertizë e thelluar në një objekt që dukshëm është i shkatërruar. Së treti, të drejtë firme nuk kishin inxhinierët, por instituti. Nuk e di pse i keni pajtuar ata njerëz dhe çfarë ekspertize kishin ata?
Mazniku: Së pari, nuk është paguar asnjë qindarkë për një objekt të dëmtuar. Ndërtesat janë në këmbë, studimi i thelluar ka thënë se objektet nuk kanë nevojë të prishen. Pjesë e pagesës janë edhe elementët e riparimit. Studimi i thelluar, për të cilin kemi paguar para, ka thënë se ka nevojë për ekspertizë të thelluar.
Meçe: Këtë praktikë ta jep VKM në shkurt, ti e ke zbatuar në dhjetor … Unë do vazhdoj të insistoj deri në zbardhjen e këtij fenomeni..
Mazniku: Ju mund të vazhdoni. Tre gjëra të rëndësishme, nuk është paguar asnjë para për asnjë objekt të prishur, është vepër penale. Çdo para që është paguare, është në përputhje të plotë me kostot për këto objekte. Një inxhinier që i thotë vetes inxhinier dhe që ka respekt për veten e tij nuk mund ta thotë kurrsesi këtë.