Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka shtyrë sërish gjyqin ndaj Emiljano Shullazit.
Shkak është bërë mungesa e njërit prej gjyqtarëve, si dhe pritja e shkresave nga KLGJ për të sqaruar pozicionin e tyre.
Kjo ishte hera e tretë, që shtyhet gjyqi ndaj Emiljano Shullazit.
Avokatët e tij ngritën pretendimet e tyre për gjyqytarët Etleva Temo dhe Artur Kalaja, pasi nuk janë pjesë e strukturës së posaçme të formuar vetëm pak ditë më parë.
Shkresa ka mbërritur në KLGJ, që më 23 dhjetor të 2019-ës, por nuk ka ende një përgjigje.
Ndërkohë ditën e djeshme në Durrës, u dhunua babai i Besnik Musait, njërit prej dëshmitarëve që fundosi Shullazin.
Grupi i Emiljano Shullazit është dënuar me 55 vite burg më 13 nëntor të 2018-ës, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Mbi Shullazin rëndojnë dy gjobvënie ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zakos, për të cilat është dënuar me 14 vite burg.
Ndërkohë për anëtarët e tjerë të grupit janë vendosur këto dënime:
Gilmando Dani 12 vite burg
Indrit Qyqja 10 vite burg
Indrit Zela 10 vite burg
Blerim Shullazi 9 vite burg
Gjykata në vendimin e saj, theksoi se askush nga të dënuarit nuk do të përitojë liri me kusht.