Një ngjarje e rëndë u regjistrua ditën e djeshme në Korçë, në lagjen Nr.9.
Një 36-vjeçar humbi jetën në punë, ndërsa kolegu i tij mbeti i plagosur.
Shkak u bë këputja e presës së betonieres, gjatë kohës kur po hidhnin betonin në objekt.
Ditën e sotme policia ka arrestuar përgjegjësin teknik të firmës së ndërtimit dhe manovratorin.
Ata akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Njoftimi i policisë:
Korçë
Policia arreston në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit, që kryente punime në pallatin në të cilin u aksidentuan gjatë punës dy punëtorë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2020, ku në lagjen nr.9, në një pallat në ndërtim, gjatë punës u aksidentuan dy punëtorë njëri prej të cilëve për pasojë gjeti vdekjen, ndërsa tjetri ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën, sqarojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
- F.P., 67 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit).
- A.Z., 41 vjeç (me detyrë manovrator).
Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.