Mbi 2 mijë e 100 pasgoditje janë regjistruar në Departamentin e Sizmologjisë pas tërmetit të 26 nëntorit.
Sizmologët kanë vërejtur në terren çarje të tokës apo dalje të ujit në formë shatërvani.
Por, ata i cilësojnë normale këto dukuri pas një lëkundje të fuqishme si ajo me magnitutë 6.4 ballë.
Rexhep Koçi, Shef i Departamentit të Sizmologjisë, ishte i ftuar në RTV ORA, ku tha se për të monitoruar paslëkundjet, nga Kavaja deri në Lezhë janë instaluar 30 sizmometër.
“Me çarje nga disa cm deri në gjysmë metri dhe me shfaqjen e fenomenit të daljes së ujit. Është një fenomen i njohur në trojet që kanë sediment të butë dhe me prani të ujit. Kjo është manifestuar në disa fshatra në veri të qytetit të Durrësit.“- bëri me dije Koçi.
Me informacionin që këto do të japin do të merren të dhëna më të imtësishme përsa i përket aktivitetit sizmike.
Sizmiologu ritheksoi se kjo periudhë zgjat nga një deri në disa muaj.
Në periudhat pasardhëse pritet që intensiti të shkojë drejt rënies.
Tërmeti i 26 nëntorit u mori jetën 51 viktimave, lëndoi rreth 900 persona, ndërsa la të pastrehë me mijëra të tjerë.