Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj më 16 tetor.
Mirëpo Komisioneri Publik nuk është i bindur për vendimin e KPK dhe i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që të shkarkojë nga detyra Hajdarmatajn.
Pas ankimimit nga Operacioni Ndërkombëtar, Komisioneri Publik, vlerësoi se vendimi ndaj Hajdarmataj është i cënueshëm dhe përmban mjaftueshëm shkaqe, për t’u verifikuar.
Njoftimi i plotë
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se vendimi për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj.