Pas ngërçit të krijuar me Gjykatën Kushtetuese, ka ardhur edhe reagimi nga Avokati i Popullit.
Ky institucion ka bërë publike gjetjet paraprake të raportit mbi veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Avokati i Popullit është renditur krah presidentit Ilir Meta, duke pohuar, se ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është ushtruar presion.
Gjithashtu ky institucion, ka përgatitur një padi në Gjykatën Administrative të Apelit, për veprimet e KED.
Në konkluzionet e Avokatit të Popullit, thuhet se KED nuk mund të ngushtojë mundësinë e Presidentit, Kuvendit apo Gjykatës së Lartë, për të përzgjedhur gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese.
Më tej ky institucion pohon se renditja e KED-së për kandidatët nuk është “fletë-rrufe” detyruese për përzgjedhjen përfundimtare.
“Nga ana tjetër, as KED si organ kushtetues dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e përzgjedhjes të organeve të emërtesës, të cilat janë të sanksionuara si të tilla nga Kushtetuta. Kurrësesi rënditja e KED nuk është detyruese, përveçse kur është rasti i përdorimit të mekanizmit zhbllokues. Por a mund të jetë i justifikuar apo legjitim përdorimi i mekanizmit zhbllokues si qëllim për të kufizuar (madje parapërcaktuar) përzgjedhjen e organeve të emërtesës? Në gjykimin e institucionit të Avokatit të Popullit, çdokush duhet të ushtrojë funksionet e veta si anëtar i një të tëre, i strukturës së shtetit, pa imponuar vullnetin e tij në zgjedhjet që u takojnë organeve të tjera. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi institucional dhe jo e kundërta, janë në themel të Shtetit të së Drejtës dhe jo konflikti i pandërprerë”, thuhet mes tjerash në reagimin e Avokatit të Popullit.
Përsa i përket listës përfundimtare, Avokati i Popullit thkeson se nuk ka asnjë arsye, përse listat iu dërguan Kuvendit me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara te Presidenca.
“Për të tërë pjesëmarrësit në këtë proces, nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës gjegjësisht ditë pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë).Për më tepër të dyja vakancat e Kuvendit, kishin më pak kandidatë në listë se ato të Presidentit të Republikës dhe secila prej kandidatëve në listat e Kuvendit ishte edhe në ato të Presidentit. Pra nuk rezulton të ketë asnjë mundësi, që të mos jenë të njëjtat materiale të listuara dhe vendime të arsyetuara, që tregon se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara Presidentit të Republikës”, thuhet në reagim.
Avokati i Popullit shton më tej, se përplasjet mes institucioneve dhe ngërçi me Kushtetetuesen, po dobësojnë vettingun.
“Pikërisht për këtë arsye jemi të mendimit se puna mjaft e madhe e bërë nga shumë institucione shtetërore, si për proçesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu edhe atë të ngritjes së institucioneve të reja të parashikuara nga legjislacioni i Reformës në Drejtësi, po dobësohet pikërisht nga përplasjet institucionale të ndodhura gjatë proçesit për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në gjetjet e AP.