Të dhënat për kontratën koncesionare me Partneritet-Publik-Privat, për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, janë falsifikuar nga kompania ANK.
Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditi, ka gjetur të dhëna të ndryshme në një tabelë që ka të njëjtin numër regjistrimi, shkruan “Monitor”.
Aty vërehen qartë sesi kanë ndryshuar shumat dhe afatet e financimit të segmentit nga furnitorët.
Në shtojcën 6 “Modeli Financiar”, që i është përcjellë Ministrisë së Financave, financimi nga furnitorët është 19.5 milion euro, 9.5 në vitin e dytë dhe 10 në vitin e tretë të projektit.
Ndërsa në kontratën e botuar në faqen e Kuvendit, financimi është 2.5 milion euro në vitin e parë, 3 në të dytin, 7 në të tretin dhe po kaq edhe në vitin e katërt.
Shifrat e ndryshme sipas KLSH, flasin për ndërhyrje njerëzore, por si bazë për analizë është marrë tabela e botuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Struktura e propozuar e financimit duke e krahasuar me nevojën për flukse dalëse konstatohet jo e përshtatshme, duke krijuar teprica likuiditeti të panevojshme, të cilat nga njëra anë shkaktojnë shpenzime interesi të panevojshme dhe nga ana tjetër ulin vlerën reale të kontributit të kapitalit të operatorit privat”, thuhet në gjetjet e auditit.
KLSH ka llogaritur se gjatë gjithë periudhës së investimit, rezultojnë rreth 1.6 milion euro kosto interesi të panevojshme.
Gjithashtu vlera reale e investuar nga sektori privat në fazën e ndërtimit, është më e ulët se 30 milion euro të deklarara.
Pra vlera reale për këtë projekt rezulton rreth 16 milion euro dhe 30 milion euro siç pretendon koncesionari.
Për tre vitet, që parashikohet të realizohet investimi, vendosen në dispozicion fonde të panevojshme, për të cilat do të paguhen interesa.
KLSH ka konstatuar se analiza e kryer nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e paplotë, pasi nuk janë parashikuar as kostot e shpronësimit.
Përsa i përket të ardhurave të kompanisë, rezulton se nuk kishte kapacitete financiare për të ndërtuar një projekt të tillë.
“ANK” premtoi të financojë 52 milion euro nga kapitali i vet, por total ii aktiveve të saj për 2017-ën, ishte vetëm 16 milion euro, ndërsa fitimi më pak se 1 milion euro.