Kuvendi është mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme, për shkak të ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, pas dekretimit të Marsida Xhaferllarit.
Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, ka folur në lidhje me akuzat e Kreut të Shtetit, ndaj drejtuesit të KED, Ardian Dvorani, të cilin e quajti mafioz dhe ushtar të partisë.
Balla u shpreh se Meta po bën ç’është e mundur për të frenuar reformën në drejtësi dhe shembulli më i fundit ishte ai me Gjykatën Kushtetuese.
Më tej ai iu drejtua kreut të shtetit, duke e quajtur të papranueshme gjuhën e përdorur me Dvoranin.
Kreu i Grupit të PS, i ka kujtuar presidentit se Dvorani ka qenë një prej 5 gjyqtarëve të dosjes në ngarkim të Metës dhe ishte i vetmi që kishte mendim të kundërt me anëtarët e tjerë.
“Meta po bën ç’është e mundur për të frenuar reformën në drejtësi, rasti i fundit është i Gjykatës Kushtetuese, që do të dështojë. Dua t’i bëj sot një apel presidentit, është e papranueshme që në cilësinë e kryetarit të shtetit të përgojojë me pa të drejtë drejtues të institucioneve të tjera të vendit. Kushtetuta e ka vendosur në majën e piramidës institucionale, por nuk ndodh që Presidenti të marrë nëpër gojë kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, edhe pse në rastin e Dvoranit, Meta duhet të jetë i fundit në vend për t’u marrë me të, sa kohë që Dvorani ka qenë një prej pesë gjyqtarëve të dosjes në ngarkim të Metës e që në atë dosje të paktën Dvorani ka pas mendim kundër me katër anëtarët e tjerë të gjykatës. E padrejtë për këdo, por më shumë për ne që kemi mandate përfaqësuese, apo presidenti që të përdorë institucionin e Presidentit për të atakuar një iss-gjyqtar që ka gjykuar një çështje në ngarkim të tij e që për rastin në fjalë mund të ketë kërkuar edhe burg”, tha Balla.
Ndër të tjera Balla shtoi, se Meta do të mbahet mend gjatë si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese, pasi po pengon plotësimin e vakancave.