Skip to content
Të Gjitha

Rrahu rojen për 50 lekë parkim, kush është biznesmeni vlonjat që vodhi 2 milion euro makineri ndërtimi në Itali

· 2 min lexim

Dy ditë më parë autoritetet italiane, në kaudër të operacionit “Digger” arrestuan Eduard Alikajn, pronarin e kompanisë së ndërtimit, “Edal-Vlora Construction”.

Ky i fundit së bashku me bashkëjetuesen Çeljeta Dalipaj, janë kokat e organizimit të vjedhjeve të makinerive të ndërtimit, shkruan ‘Dosja.al’.

Eduard Alikaj njihet në Vlorë si ‘bamirësi’.

Ai ka ndërtuar një sërë veprash publike në qytetin bregdetar.

Emri i tij është lakuar në media për herë të parë në 2016-ën, pas një sherri me thika në një parking me pagesë.

Si pasojë e konfliktit mbetën të plagosur 3 persona.

Shkak për konfliktin u bë bllokimi i makinës së tij nga punonjësit e parkingut.

Alikaj kishte parkuar mjetin e tij “Mercedes Benz ML” dhe refuzoi të bënte pagesën prej 50 lekësh në orë.

Më pas në shkurt të 2018-ës, atij iu dogj makina në qendër të Vlorës.

Asokohe ai ofroi shpërblim10 herë sa vlera e Benzit, për personin që do t’i tregonte porositësit.

Mediat italiane dhanë disa detaje në lidhje me shpërbërjen e grupit që drejtohej nga çifti vlonjat.

Pasi vidhte makineritë në veri të Italisë, grupi i transportonte në Shqipëri, ku përdoreshin për ndërtimin e rrugëve.

Hetimi ndaj tyre nisi nga një eskavator i braktisur në Villanova nel Piacentino, ku një qytetar njoftoi policinë.

Kjo e fundit zbuloi se makineria ishte e vjedhur në Parma.

Eskavatori kishte numër shasie të rremë dhe do të transferohej pak ditë më vonë jashtë Italisë.

Pjesë e grupit ishin personat që kryenin vjedhjet, ato që ndryshonin numrat e shasisë dhe në fund sipërmarrësit që lëshonin fatura false.

Mbi grupin rëndojnë 6 vjedhje në kantieret e ndërtimit në veri të Italisë, me vlerë 2 milionë euro.

Në total grupi përbëhej nga 9 persona, ku secili kishte detyrat e veta.

Fillimisht makineritë përzgjidheshin nga bashkëjetuesja e shqiptarit, ndërsa më pas hynte në lojë pjesa tjetër.

Makineritë, pasi lëshoheshin faturat falso, dërgoheshin në Shqipëri nëpërmjet portit të Anconas dhe përdoreshin për tenderat e fituar nga Alikaj.

Ky i fundit së bashku me pjesën tjetër të grupit ndodhen në burg dhe akuzohen për vjedhje e pastrim parash.

Alikaj dhe Dalipaj kanë një fëmijë dhe jetonin mes Vlorës e Italisë.