Deputetja e PDIU, Reme Lala, ka bërë një panoramë rrënqethëse nga foltorja e Kuvendit.
Ajo ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë, se i ka lënë dibranët në mëshirë të fatit, shkruan ‘Panorama’.
Sipas saj, asnjë projekt për spitalin nuk është miratuar, ndërsa tregon edhe kushtet skandaloze në ambientet brenda tij.
Lala vijon duke thënë, se të sëmurët mbahen në krahë nga shkallët, ndërsa kufomat mbahen në kurriz nga familjarët.
“Më vjen zor të tregoj këto statistika si përfaqësuese e atyre njerëzve. Zero investime nga MSH, për spitalin, edhe pse ka pasur projekte asnjë nuk është miratuar, ambientet e kuzhinës janë të amortizuara, lavanteria jashtë shërbimit, reanimacioni nuk ka as krevate, as ambient, as monitor për të mbajtur nën kontroll pacientet. Atje nuk punon ashensori, të sëmurët mbahen në krahë nga shkallët, kufomat familjarët i marrin në kurriz. Për një operacion për apendecitin detyrohen të shkojnë në Tiranë, apo për të sjellë në jetë në fëmijë”- tha ajo.
Ndër të tjera, ajo ka kërkuar llogari nga kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë, se pse Dibra është e persekutuar.
Lala tregon se të sëmurëve familjarët u lajnë çarçafët si dhe u çojnë një pjatë gjellë.
Një pyetje e kam pasur për kryeministrin dhe ministren e Shëndetësisë: Pse ky diskriminim për Dibrën, si është bërë ndarja e ambulancave të reja, pse Dibra është akoma në kushte të tilla, pa mjekë e pa ambulanca, e persekutuar për vite për shkak të largësisë, por kjo duhet të ishte arsye më tepër për të pajisuar me ambulanca të reja. Mirë ua cojnë familjarët një pjatë gjellë, edhe një batanije, po i lajnë vetë edhe carcafët, por si tja bëjnë për ilaçe, edhe pse prokurimet nga MSh fillojnë në mars deri në tetor nuk kanë mbarur. Mjekë nuk ka, ilaçe jo e jo, a e quajmë një spital këtë? Zoti kryeministër, dibranët i kanë sytë nga ju e unë besoj se do të ndërhyni të mbroni dibranët, unë dua zgjidhje për ata njerëz. Zonja ministre, mos na lini të mendojmë se Dibra nuk është në hartën e MSH”, përfundon Lala.