Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses, Ina Zhupa, ka denoncuar licensimin e kompanisë që menaxhonte landfillin e Sharrës, i cili sipas saj është bërë me bekimin e kryeministrit, Edi Rama.
Çështja mori përmasa të mëdha, pas vdekjes së Ardit Gjoklajt, brenda landfillit.
Kompania “Alb Tech Plast” me pronar Edurim Teqjan, është licensuar nga ministri i Mjesidit dhe Turizmit, Blendi Klosi, për të vazhduar aktivitetin edhe në Elbasan.
Kompania në fjalë sipas Zhupës, ka ndryshuar emrin më 17 maj 2018, duke u kthyer në “3R sh.p.k”.
Në 2016-ën, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kontraktoi këtë kompani, për të bërë menaxhimin e mbetjeve në Sharrë, jashtë çdolloj kushti teknik.
Koncesioni për menaxhimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës njihet si një prej më famëkeqëve, të firmosura nga qeveria shqiptare.
Ky koncesion i kushtoi 128 milion euro buxhetit të shtetit dhe është ndjekur nga një sërë skandalesh.
Në 2016-ën, kompania, ‘Integrated Energy B.V.’, e cila kishte vetëm pak ditë që ishte krijuar, papritur shfaqet me një propozim.
Kjo kompani është pjesë e ‘Integrated Technology Services’, ku 100% të aksioneve, zotërohen nga Klodian Zoto.
Në garë për tenderin ishte vetëm kjo kompani, e cila u shpall fituese për koncesionin e pakërkuar në gusht të 2017-ës.
Emri i kësaj kompanie u bë publik pas vdekjes së Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që punonte në landfill jashtë çdo kushti sigurie.
Në lidhje me këtë ngjarje u shpallën fajtor përgjegjësi i turnit dhe fadromisti, ndërsa administrator i kompanisë u hetua në gjendje të lirë.
Një tjetër skandal i landfillit të Sharrës është edhe ai i parave të grumbulluara nga privatët.
Këto të fundit detyrohen t’i paguajnë 480 lek/ton kompanisë, e cila vjel gjithashtu nga bashkia 222 milion euro në vit.
Privatët janë të detyruar ta paguajnë dy herë taksën, një herë kompanisë dhe një herë bashkisë.
Marrëdhënia mes Bashkisë së Tiranës dhe ‘Integrated Energy B.V. është klienteliste, pasi privatët nuk lejohen që t’i depozitojnë mbetjet në asnjë vend tjetër, që mund t’u ofrojë çmime të ulëta.
Kur u prezantua fillimisht projekti, kryeministri Edi Rama tha se do të përfshihet edhe ndërtimi i një inceneratori, që do të kthejë në energji elektrike djegien e mbetjeve.
Mirëpo ky model është shumë i dëmshëm për jetën e njeriut dhe ekosistemin, pasi hiri i mbetur nga djegia , përbëhet nga metale të rënda.
Një gjë e tillë po ndodh në Sharrë, edhe pse riciklimi është mënyra më e mirë e menaxhimit të mbetjeve.
Gjithashtu gazetari Mariglen Kume ka zbuluar për portalin ‘portavendore.al’, se ujrat e ndotura të nxjerra nga përpunimi i plehrave, derdhen në lumin Erzen.
Për këtë situatë alarmante të gjitha institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin, duke u bërë palë në njëfarë mënyre.