Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë, për anëtarët e klanit ‘Duka’, të cilët akuzohen për vrasjen e Santiago Malkos.
Aktualisht në burg ndodhen, Elvis Gaçaj, i cili u arrestua pak javë më parë në Durrës dhe Blendi Teta, i cili është lënë në burg pa afat.
Për këtë të fundit, gjykata pritet të rivlerësojë masën e sigurisë, shkruan “Dosja.al”.
Në kërkim për vrasjen e ish-policit janë vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltion Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Manxhaku, Dritan Agaj dhe Fatmir Hyseni.
Dosja për vrasjen e Malkos fillimisht u hetua nga Prokuroria e Tiranës, por ky organ shpalli moskompetencë, duke e kaluar te Krimet e Rënda.
Kujtojmë këtu, se Santiago Malko u ekzekutuar më 27 gusht në zonën e Porcelanit në Tiranë. Ish-efektivi ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt.
Malko kishte konflikte të shumta në të shkuarën, ku përveç sherrit me vëllezërit Lashi për borxhin për lojrat e fatit, ishte i pranishëm më 4 tetor në lokalin në ish-bllok, ku u vra Fabian Gaxhaj.
Ish-efektivi ishte i punësuar prej rreth një viti në Inspektoriatin e Mjedisit dhe merrte rrogën pa shkuar në punë.