Fotografi Petrit Kumi në një rrëfim për “Panorama, ka treguar momentin kur kryeministri aktual, Edi Rama, i erdhi në mes të natës në shtëpi, në vitin 1997.
Kumi tha se Ramën e kishin rrahur në mënyrë barbare dhe kërkonte foto për ta dokumentuar.
Ai shton se kryeministri trokiste me forcë në derë, ndërsa në fytyrë ishte i mbuluar i tëri me gjak.
Sipas Kumit, Rama asokohe shoqërohej nga artisti Vladimir Myrtezai, i cili e priste në makinë.
Fotografi tregon se Ramën e njihte që prej kohës kur luante basketboll.
Intervista
Shumica e fotove tuaja, veçanërisht ato që rrëfejnë figurat politike arrijnë të bëjnë bujë e t’i rezistojnë kohës. A ka ndonjë të tillë edhe me kryeministrin?
Ndoshta po. Kjo lidhet me një ngjarje të largët, atë të rrahjes së Ramës në ’97-ën.
Flitet për foto, për të cilat i kam kërkuar vetë Ramës që mos të ma vendos emrin. Kujtoj se kish kaluar mesnata, kur dera trokiti fort.
Ishte i gjithi i mbuluar në gjak dhe e hapi derën gati me zor. “Çfarë të ka ndodhur kështu?”, i thashë. Ai kërkonte foto si dokumentim të pamjes, asaj që kishte ndodhë.
Çfarë ndodhi më tej, ishte frikësuar nga ajo çfarë kishte ndodhur?
Jo, jo! Ai trokiti ashtu gati me forcë. “Ma hap derën”, thirri, si të qe shtëpia e vetë.
Kështu, fotot u bënë?
Fotot i realizova. Pra siç thashë, flitej për foto-dokument. Që ai të mund të thoshte: “Shiko si më kanë bërë”.
Ç’ndodhi më pas, qëndroi gjatë?
Nga dritarja, unë vura re se dikush po e priste në makinë. E pyeta se kush ishte në makinë. “S’ka ç’të duhet ty, një shoku im është”, m’u përgjigj.
Më vonë mora vesh se kishte qenë artisti Vladimir Myrtezai. Ndenji thuajse dy orë, mandej rreth orës tre u largua. Në fund mori filmat. “Një e kam unë”, i thashë në ikje.
Me Ramën do të takoheshit dhe në 2013-ën, gjatë Panairit të Librit, ndërsa ju botonit albumin “Jeta përmes objektivit”, në faqen 172 të së cilit gjendet imazhi i Ramës me të atin?
Është e vërtetë, m’u drejtua me humor dhe më tha: “Po ti ç’bën këtu?” Kur u bë kryetar bashkie unë i pata thënë: “Shiko, mos më kërko më si ato foto”! (qesh) Pra, njohja me të niste prej kohës ku luante basketboll, të atin e kam pasur mik.