Një nga anëtarët e dyshuar të bandës “Bajri”, Asmer Bilali, për tre muaj do të qëndrojë në regjim të mbikëqyrjes së veçantë.
Kërkesa është bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili.
Kësisoj ish-kampionit të boksit, do t’i minimizohen kontaktet me familjarët dhe të burgosurit e tjerë.
Bilali është kapur disa herë në ambientet e burgut 313 me telefona.
Gjykata u bazua në këto prova, për të ashpërsuar dënimin ndaj ish-boksierit.
Mirëpo vetë Bilali ka mohuar të ketë pasur telefona me vete.
Asmer Bilali është djali i Astrit Bilalit, i cili u vra në mars së bashku me vëllanë e tij, Ibrahim Bilalin.
Persona të paidentifikuar ende, i qëlluan në derë të shtëpisë së tyre në lagjen Kiras në Shkodër, duke i lënë të vdekur në vend.
Gjithashtu ka dyshime se Asmer Bilali ishte shënjestra e atentatit ku mbeti i vrarë Arjan Ferracaku, ngjarje kjo që nuk ka ende një autor.