Skip to content
Të Gjitha

“Dokumentet u sollën në mënyrë pompoze”, avokati i Tahirit tregon se për çfarë mund ta dënojnë ish-ministrin

· 2 min lexim

Ndërsa trupa gjykuese është tërhequr për të dhënë një vendim, Maksim Haxhia, avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dhënë përshtypjet e tij në lidhje me procesin dhe me pritshmëritë.

Për mikrofonat e “Balkanweb”, Haxhia u shpreh se gjykata nuk ka prova për të dënuar Tahirin dhe do të habitej shumë nëse ndodhte diçka e tillë.

Më tej Haxhia shtoi se bazuar në vendimin e Gjykatës së Catanias, çështja duhej pushuar.

Ai tha se Tahiri paraqiti një sërë provash që hodhën poshtë pretendimet e prokurorisë.

Ndër të tjera avokati theksoi, se provat ndaj Tahirit u paraqitën në mënyrë pompoze, ndërsa u dha një këshillë politikanëve, që të mos akuzojnë kolegët e tyre bazuar në përgjime telefonike.

Përsa i përket shitjes së makinës, Haxhia tha se nuk përbën vepër penale, pasi personi të cilit i është shitur, Artan Habilaj, nuk ka akuza.

Avokati solli gjithashtu  në vëmëndje se Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela kanë bërë tre kallëzime ndaj Habilajve dhe nuk ka mundësi të jenë pjesë e bandës.

Në fund Haxhia përmbylli duke thënë se Tahiri mund të dënohet edhe për shpërdorim detyre, mirëpo gjykata duhet ta vërtetojë më parë.