Në deklaratën përpara Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij, presidenti Ilir Meta, tha se një nga arsyet që vendosi të çdekretojë zgjedhjet e 30 qershorit, ishte informacioni që kishte marrë nga SHISH për djegien e Kuvendit në protestën e opozitës më 8 qershor.
Ky informacion sekret ishte në qendër të mbrojtjes së Metës.
Dokumenti i hartuar nga SHISH, tashmë është pjesë e Komisionit Hetimor të drejtuar nga Ulsi Manja.
“Top Channel” shkruan se agjentët e SHISH, të cilët ishin infiltruar në protestën e 8 qershorit, siguruan informacionin se një grup paramilitar nga Kosova dhe trevat e tjera etnike shqiptare, kishin mision final djegien e Kuvendit të Shqipërisë.
Në dokumentin sekret nuk ka të dhëna se kush ishin këta persona, nëse të ishin të armatosur apo jo dhe çfarë mjetesh do të përdornin për të çarë kordonin policor.
Nisur nga ky informacion dhe rrjedha që kishin marrë protestat e opozitës, zv.ndihmës sekretari i shtetit, Matheë Palmer, deklaroi asokohe se nëse do të kishte dhunë më 8 qershor, përgjegjës direkt do të ishin Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Përmbajtja e informacionit në dokumentin e SHISH do të analizohet nga Komisioni Hetimor, për të vendosur më pas nëse Meta kishte mjaftueshëm arsye për çdekretimin e 30 qershorit.
Një skenar i ngjashëm u bë publik gjatë rrëzimit të shtetit më 14 shtator të 1998, ku u tha se në sulmin ndaj institucioneve, morën pjesë edhe anëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.