Atentati në Fier/ Ndërron jetë në spital nipi i “Sel Çamit”, i plagosur me tre plumba, autorët përdorën uniforma policie dhe dron për vëzhgimin e viktimave

Jakup Hasani, nipi i 60-vjeçarit Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami” ose “Seli i Matit”, ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të marte në spital, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra gjatë atentatit të së hënës në lagjen “1 Maji” në Fier.
Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë nga hetimet, të cilat ngrenë dyshime se atentati ndaj xhaxhait dhe nipit ishte planifikuar paraprakisht.
Hetuesit po shqyrtojnë dyshimet për përgatitjen dhe organizimin e atentatit, përfshirë mundësinë e vëzhgimit paraprak të viktimave. Këto informacione nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht nga policia.
Pas ngjarjes, policia gjeti dy automjete të djegura, të cilat dyshohet se kanë lidhje me krimin.
Pista e hakmarrjes dhe konflikti mes dy familjeve
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me konfliktin e hershëm mes familjeve Hasani dhe Isufaj, që daton prej vitit 1994.
Asokohe, Enver Isufaj, babai i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, u vra në një bilardo në zonën e Sheqit në Fier. Sipas vendimeve gjyqësore, në vrasje morën pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit.
Përplasjet vijuan më 25 mars 2002, me atentatin në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës”. Për këtë ngjarje, Selami Hasani u dënua me 25 vite burg, vendim që Gjykata e Lartë e konfirmoi në vitin 2010, ndërsa Pëllumb Yzeiraj u dënua me burgim të përjetshëm.
Hasani u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat RENEA dhe doli nga burgu në fund të vitit 2021.
Një detaj që rikthen në vëmendje konfliktin mes dy familjeve është se në atentatin e vitit 2002, për të cilin u dënua Selami Hasani, mbeti i vrarë Julian Isufaj, nipi i “Ben Qimes”. Tashmë, 24 vite më vonë, atentati ndaj Selami Hasanit i ka marrë jetën edhe nipit të tij.
Megjithatë, motivi i krimit mbetet i pakonfirmuar. Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve.